Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe studentët e programit studimor Kriminalistikë të Fakultetit Juridik e realizuan me sukses kursin nga lëndët Aktivitete Aventureske dhe Turizëm dhe Edukim Fizik Special. Kursi u realizua në qytetin bregdetar të Durrësit nga data 4 deri më 14 qershor të vitit 2018.
Ligjëruesi i këtyre lëndëve njëherit edhe Dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike, Doc. Dr. Haki Ismaili, tha se studentët këtë kurs e kanë ndjekur në qytetin e Durrësit për dhjetë ditë me radhë. “Në kuadër të lëndës “Aktivitete Aventureske dhe Turizëm” që në semestrin e katërt ligjërohet te studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe lëndës “Edukim Fizik Special 4” që e ndjekin studentët e vitit të dytë të Fakultetit Juridik programi studimor Kriminalistikë, parashihet që të realizohet edhe pjesa praktike. Ne këtë vit e pamë të arsyeshme që kursin ta ndjekim në qytetin e Durrësit, ku së bashku me studentët realizuam aktivitete të ndryshme sportive. Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar marshit në mëngjes, ndërsa gjatë ditës kemi zhvilluar edhe lojëra elementare. Studentët kanë qenë mjaft të kënaqur me mënyrën se si i kemi realizuar aktivitetet dhe gjatë gjithë kohës kanë pasur mundësi që gjërat të cilat i kanë dëgjuar gjatë ligjëratave t’i zbatojnë në praktikë” – tha Doc. Dr. Haki Ismaili.
Studentët po ashtu kanë zhvilluar edhe lojëra të ndryshme sportive si not, volej plazhi, hendboll, dhe vrapim.