Studentët e Stomatologjisë të UT-së në mënyrë aktive e ndjekin praktikën profesionale në poliklinikën stomatologjike Apolon

Studentët e vitit të pestë të Stomatologjisë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës në mënyrë aktive vazhdojnë me ndjekjen e praktikës profesionale në kuadër të lëndëve Kirurgji Maksillofaciale dhe Implantologji, të cilat i ligjëron Prof. Dr. Qenan Ferati. Praktika profesionale e studentëve tanë zhvillohet në përputhje me të gjitha rekomandimet, përkatësisht protokollet e autoriteteve shëndetësore në vendin tonë.

Prof. Dr. Qenan Ferati shprehu konsideratën e tij për studentët e Stomatologjisë së Universitetit të Tetovës, të cilët edhe në këto rrethana kanë treguar përkushtim dhe interesim të lartë për kirurgjinë maksillofaciale, profesion të cilin ata do ta realizojnë gjatë karrierës së tyre në të ardhmen. Ai po ashtu nënvizoi se poliklinika stomatologjike Apolon funksionon me standardet më bashkëkohore dhe aparaturën stomatologjike më të sofistikuar.

“Që në fillim të pandemisë, në mars të vitit 2020 ne kemi bërë investime shtesë që në radhë të parë ta mbrojmë shëndetin e pacientëve dhe stafit mjekësor që punojnë prej vitesh në poliklinikën tonë stomatologjike. Përpos kësaj, në poliklinikën tonë funksionon edhe qendra edukative, e cila kryesisht organizon trajnime profesionale për studentët e programit studimor të stomatologjisë, stafit mjekësor dhe këto trajnime i zhvillojmë bashkë edhe me disa qendra tjera stomatologjike. Të gjitha intervenimet të cilat i kryejmë tek pacientët, studentët kanë mundësi që përmes aparaturës digjitale t’i ndjekin drejtpërdrejt nga salla e qendrës edukative dhe kjo është një ndihmesë e madhe për ne, që veç njohurive që marrin ata njëkohësisht na ndihmon që edhe të ruajmë distancën e nevojshme kundër përhapjes së virusit Korona” – tha Prof. Dr. Qenan Ferati.

Edhe studentët u shprehën mjaft të kënaqur me këtë mundësi që u është ofruar nga Prof. Dr. Qenan Ferati dhe poliklinika stomatologjike Apolon. Ata mes tjerash shprehen se kushtet moderne stomatologjike të cilat i posedon Apoloni u mundësojnë që të gjitha njohuritë e fituara nga teoria t’i zbatojnë sa më lehtë në praktikë.