Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës e vizituan Kazermën e Tetovës dhe Sektorin për Punë të Brendshme

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës e vizituan Kazermën e Tetovës dhe Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet përkatëse.
Studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës (programi studimor Kriminalistikë), me shoqërimin e Dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prof. Dr. Muhamet Racaj-Gjeneral Major, Prof. Dr. Naser Etemi, Doc. Dr. Muazam Halili dhe sekretari i fakultetit Ali Salihi, realizuan vizitë studimore në këto institutcione.

Më datë 30.11.2022 studentët realizuan pjesën praktike për përdorimin e armëve në Kazermën e Tetovës dhe u pritën nga Komandanti i Garnizonit në Tetovë me bashkëpunëtorët e tij.
Më datë 1.12.2022 u realizua vizitë studimore në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, ku studentët patën mundësinë drejtpërsëdrejti të njoftohen me funksionimin e SPB-Tetovë, dhe fushëveprimin e këtij institucioni, nga ana e kryeshefit të SPB-Tetovë, Mr. Amir Dalipi.

Njëkohësisht, studentët të shoqëruar nga nëpunës policorë të këtij institucioni, i vizituan hapësirat e posaçme të parapara për personat që privohen nga liria për veprime inkriminuese të karakterit penal, zyrën e posaçme ku zhvillohet biseda informative, zyrën për pranimin e palëve, zyrën e kujdestarisë, mandej Njësitin për analizë dhe zbulime kriminalistike, Njësitin për krime ekonomike, Njësitin për krime kompjuterike dhe Njësitin për krime të përgjithshme. Gjatë kësaj vizite, studentët u njoftuan nga ekspertët e këtyre sferave, për problematikën që ata ballafaqohen gjatë punës së tyre, duke iu përgjigjur njëkohësishtë edhe pytjeve të shumta të parashtruara nga studentët.