STRUMICË, TIKA DHURON NJË AUTOMJET PËR QENDRËN PËR MBROJTJE DHE REHABILITIM “BANJA BANSKO”

Qendra për Mbrojtje dhe Rehabilitim “Banja Bansko”, e cila ndodhet në Strumicë sot ka marrë një donacion nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Bëhet fjalë për një automjet që do të shërbejë për transport më të lehtë të personave që janë të vendosur në këtë qendër, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë që u mbajt në “Banja Bansko” morën pjesë ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, si dhe koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden.

Ministri Filipçe theksoi se sot marrin pjesë në një ngjarje të shkëlqyer dhe se me këtë donacion të TIKA-s do të lehtësohet ndjeshëm aksesi në shërbimet shëndetësore për përdoruesit të cilët jetojnë këtu dhe në procesin e socializimit.

“Mirënjohje e madhe e sinqertë për TIKA-n, me besim të sinqertë se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë, si në aspektin e shëndetit, ashtu edhe në projektet tona, që tregojnë një qasje multi-sektoriale”, tha Filipçe.
Ndërkaq, ministrja Carovska tha se si qeveri dhe si ministri udhëheqin një proces të transformimit të institucioneve të mëdha që nuk plotësojnë nevojat e këtyre individëve, por, tha ajo, me rëndësi është se punojnë paralelisht në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara këtu.

“Unë mendoj se kjo kamionçinë me të vërtetë do të rrisë mundësinë për socializimin e këtyre njerëzve, duke lëvizur ato në mjedisin lokal dhe qytetet lokale që janë të vendosura rreth Banja Banskos, po ashtu edhe për transport, siç tashmë kanë njoftuar se do të shkojnë në pushime në fund të gushtit. Pra, kjo kamionçinë do të shërbejë edhe për transportin e pushimit të tyre veror”, tha Carovska.

Koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, nga ana e tij, tha se në vizitën e tij së bashku me ministrin Filipçe këtu, ka marrë një kërkesë për një donacion të një automjeti për këtë qendër.

Ai theksoi se ata morën miratimin nga TIKA në këtë drejtim dhe nga Turqia ata sollën një mjet për këtë qendër.

“Pjesëmarrësit këtu, pa nevojë për ndihmë, me karrocat e tyre do të mund të ngjiten në këtë automjet, qoftë për transportin e tyre në qendrat shëndetësore për trajtim ose për të marrë pjesë në aktivitete të tjera shoqërore”, tha Ayden.