Një infermiere e repartit intern në spitalin e Strugës është pozitive me Kovid 19. Këtë e ka treguar mostra që i është marrë më 3 prill, por rezultatet kanë arritur më datë 9. Infermierja e cila është rasti i parë i infektimit të një punonjësi shëndetësor në Strugë, paraprakisht ka qenë në kontakt me ndonjërën nga pacientet e para të infektuara që janë shtruar në repartin e tyre.
Ndërsa pasi dje shtabi i krizës në Ohër kërkoi nga Qeveria ta shqyrtojë mundësinë e ndalimit të hyrjes së qytetarëve nga komunat tjera në Ohër, kryetari Gjeorgjievski edhe sot e përsëriti kërkesën e tij.
Kjo masë në mënyrë të konsiderueshme do të kontribuojë në pengimin e përhapjes së virusit dhe mbrojtjes së qytetarëve të Ohrit, me atë që do të ndalohet edhe komunikimi i rregullt dhe frekuentimi i qytetarëve nga territori i komunës së Strugës dhe fshatrave në rajonin e Strugës ku numri i të prekurve nga virusi Kovid 19 vazhdimisht rritet”-tha Konstantin Gjeorgjievski, kryetarë i Ohrit.
Ndalesa do të vlente edhe për punëtorët ndërtimorë që punojnë në objekte në Ohër, e që janë nga Struga. Por kërkesën e këtillë e kundërshtojnë një pjesë e juristëve. Ata thonë se një masë e tillë e mundshme do shkelte shumë të drejta të njeriut.
Ja, sot në fuqi është ora policore prej 60 orëve. Duhet ta respektojnë të gjithë. Por, të kërkohet që askush të mos mund të shkojë në Ohër, kjo është simptomatike. Ja, unë pyes, çfarë nëse të gjitha komunat e kërkojnë një gjë të tillë?!”-pohoi Aleksandar Novakovski, avokat.
Ndryshe, këtyre ditëve në redaksinë e Alsat M kanë mbërritur reagime nga qytetarë që thonë se policia edhe jashtë orës policore nuk i lejon qytetarët të lëvizin nga Struga në Ohër. Zëdhënësi i SPB-Ohër, Stefan Dimovski, thotë se bëhet fjalë për rritjen e shkallës së kujdesit dhe masave parandaluese. Por, sipas tij, lëvizja është e lejuar vetëm për nevoja urgjente shëndetësore dhe për njerëz që shkojnë në punë në të dy qytetet.
Miki Trajkovski