Strugë, gjysma e qytetit shndërrohet në parking

Pothuajse gjysma e qytetit të Strugës këtë verë do të shndërrohet në zonë parkimi. Në shumë vende ku deri më tani parkimi nuk paguhej, pagesa tani do bëhet e detyrueshme. Me aplikimin e të ashtuquajturit parkim zonal, qyteti do të ndahet në tre zona. Për parkim do të paguhet edhe në korsinë e djathtë në të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore në qytet. E gjithë kjo situatë mori edhe ngjyrime politike.

“Me këtë vendim parkim zonal do të ketë edhe në rrugë dytësore siç janë Gjuro Salaj, Brigada e parë Maqedonase dhe tjera që janë të gjera vetëm katër metra. Në nenin 7 të vendimit është paraparë komuna parkingjet publike të mund t’ua japë nën koncesion subjekteve tjera. Me këtë paraqiten dyshime se të gjitha parkingjet do t’u jepen njerëzve të afërt me pushtetin”, thotë Alen Dereban, këshilltar i VMRO-DPMNE-së.

Sipas vendimit, në qendër të qytetit ora e parë e parkimit do të paguhet 40 denarë, ora e dytë 30 denarë, ndërsa më pas çmimi rritet për 10 denarë. Në zonën e parë starti është 30 denarë për një orë, ndërsa në zonën e dytë 20 denarë një orë.

“Mendoj se është shumë shtrenjtë për qytetarët. Pastaj ato duhet të jenë të shënuara, tani askund nuk janë shënuar. Për Strugën kjo është shumë shtrenjtë, 60 denarë, ndërsa në Shkup është 25-30 denarë”, thotë një qytetar.

Sipas përgjigjes që e morëm nga komuna e Strugës, shihet se çmimet gjatë periudhës së verës do të jenë më të shtrenjta sesa ato gjatë periudhës tjetër të vitit. Parkimi zonal do të startojë pas themelimit të sektorit për parkingje publike në kuadër të N.P Eko Struga që pritet në ditët në vijim. /alsat-m/