Struga ende e paprekur nga virusi, bëhen teste të qytetarëve

Struga mbetet ende e paprekur nga virusi Korona.Megjithatë, vazhdojnë të bëhen teste të qytetarëve. Sot janë bërë 7 teste të reja, ndërkohë që priten rezultatet e testeve të bëra një ditë më parë. Gjithashtu disa prej qytetarëve të cilët kanë ardhur nga vendet e prekura nga virusi Korona qëndrojnë në izolim shtëpiak, të kontrolluar edhe nga policia.

Edhe qytetarët tjerë qëndrojnë në vetizolim, me qëllim që të shmanget përhapja e virusit dhe orët policore vazhdojnë të respektohen. Edhe nga komuna e Strugës vazhdimisht janë marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit. Për shkak të situatës së krijuar, nga komuna e Strugës lajmërojnë se më datën 28.03.2020 (e shtunë) do të mbyllet tregu për shitblerje të gjërave të vjetra për një kohë të pacaktuar.

Nga komuna apelojnë deri tek të gjithë tregtarët dhe shitblerësit që të respektojnë këtë vendim. Për sa i përket aksionit të dezinfektimit, do të vazhdojë, duke dezinfektuar rrugët, institucionet lokale, si dhe hapësirat publike më të frekuentuara.