Strategjia e Qeverisë së Kosovës, t’i bind qytetarët se koronavirusi ekziston

Qeveria e Kosovës me masat e reja që pritet të ndërmerr ka paraparë edhe fushatë mediale për të vetëdijesuar qytetarët në lidhje me rrezikun COVID-19.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë sot se është shqetësuese pasi 30 për qind e qytetarëve nuk besojnë në rrezikun e COVID-19. Prandaj, lidhur me këtë ai tha se do të implementohet strategjia e mediave për të vetëdijesuar sa më shumë qytetarët në lidhje me rrezikun nga koronavirusi, transmeton Zeri.info

“Strategji agresive mediale për me vetëdijësu qytetarët pasi 30 për qind e qytetarëve nuk besojnë se COVID-19 është problem real për jetën e tyre dhe kjo nuk ka asnjë kuptim”, ka thënë Hoti në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Hoti ka thënë se si pasojë e kësaj, çdo ditë përmes mediave do të tregohen storiet e pacientëve nga Klinika Infektive të cilët po luftojnë me jetën si pasojë e COVID-19.

“Do të detyrohemi të tregojmë storie çdo ditë nga Klinika Infektive se si pacientët përballen me jetë nga kjo sëmundje, se si stafi shëndetësor sfilitet 24 orë për të ofruar shërbime për këta njerëz. Do të kërkojmë mirëkuptim edhe nga anëtarët e familjes që kanë humbur të dashurit e tyre që të ndajnë storiet me qytetarët, që secili qytetarë ta shoh në mbrëmje”, ka shtuar Hoti.

Kreu i ekzekutivit kosovar, ka bërë të ditur se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare është vendosur që të merren masa më rigoroze. Këto masa shtesë kundër përhapjes së pandemisë pritet të votohen në mbledhjen e qeverisë që mbahet sot.