Respektimi i kufijve të njohur ndërkombëtarisht dhe dialogu mes shteteve të rajonit janë mënyra më e mirë për të pasur stabilitet në Ballkanin Perëndimor, ishte i prerë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai nuk pranoi ta komentonte non-paperin e ashtuquajtur “slloven”, por theksoi se ndryshimi i kufijve do ta rre*zikonte stabilitetin në rajon, për të cilën NATO-ja punon përmes politikës së “dyerve të hapura” dhe partneritetit. Edhe Presidenti, Pendarovski e hodhi poshtë idenë për ndryshim të kufijve, si tepër të rre*zikshme.
Besojmë se NATO luan rol të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit, përmes anëtarëve si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia e Sllovenia dhe partnerëve që përfshijnë Serbinë me të cilën punojmë edhe pse ka deklaruar qartë se nuk e synon anëtarësimin në NATO. Punojmë me Bosnje Hercegovinën për anëtarësimin e saj në NATO. Ajo që na duhet është dialogu, andaj kemi mbështetur për vite me radhë dialogun mes Prishtinës e Beogradit.”- deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Nga kontaktet që kam pasur, mund të them se asnjëri nga aleatët e NATO-s dhe asnjë Qeveri nuk po e mbështet këtë non-paper. Fakti që autorët nuk dihen është dëshmi se madje vetë ata janë turpëruar nga idetë e tyre. Vetëm njerëzit që nuk kanë ide kreative si t’ua përmirësojnë jetën popullit të tyre po i prodhojnë këto koncepte, duke besuar se me ndarjen e njerëzve në linja etnike do të vijë progresi brenda natës- pohoi Stevo Pendarovski, President.
Stoltenberg inkurajoi dialog konstruktiv mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për t’i kapërcyer dallimet dypalëshe, duke rikujtuar se ishte pikërisht marrëveshja mes vendit dhe Greqisë ajo që ia mundësoi vendit anëtarësimin në NATO.
NATO është aleancë e 30 aleatëve nga të dyja anët e Atlantikut, me histori të ndryshme, parti të ndryshme politike në pushtet. Gjithnjë ka pasur dallime mes aleatëve të NATO-s, por NATO është platformë ku ata mund të angazhohen për dialog konstruktiv. Andaj NATO promovon dialog mes aleatëve kur kanë dallime- tha SINKRON- Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Gjatë takimit në Bruksel, Pendarovski dhe Stoltenberg folën për reformat e vendit në mbrojtje përfshirë edhe rritjen e buxhetit për këtë sektor si dhe operacionet dhe aktivitetet e përbashkëta në përballje me pandeminë dhe kërcënimet nga Rusia e Kina.