Stoilkovski: Zaev e akuzon Hungarinë se e ka kidnapuar Gruevskin

Zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së, Naum Stoilkovski ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit Zoran Zaev, për kindapimin e Nikolla Gruevskit.

“Zoran Zaev dje herë e parashtroi tezën se Gruevski ishte rrëmbyer. Me gjithë peshën e kryeministrit, Zaev dje ka akuzuar dy herë Republikën e Hungarisë se ka rrëmbyer një shtetas të Maqedonisë, ish-kryeministër, një president nderi i opozitës, një person i cili është pjesë e një procesi ligjor. Një turp i tillë nuk e meriton Republika e Maqedonisë”, tha Naum Stoilkovski.

Ai akuzoi Zaevin, siç tha, është i gatshëm që të viktimizoj shtetin, të gjithë zyrtarët policor dhe zyrtarët kufitar, vetëm që ta shpëtoj veten, ku shtoi se Zaev është udhëheqës i terrorit dhe persekutimeve në Republikën e Maqedonisë, ndërsa Oliver Spasovski është zbatues u këtij persekutimi.

Sipas Stoilkovskit, të dy vendimet politike për paraburgim të Janakieskit dhe Boszhinoskit janë dëshmi se po keqëpërdoret DSK-ja, se po ndiqet kryetari i shtetit Gjorge Ivanov dhe zyra e tij.