Statuja e shëmtuar e Skënderbeut: Flet skulptori, e krijova nga imagjinata ime

Ky është Sinan Aliaj personi më i përfolur i ditëve të fundit në Kosovë. Për nga emri nuk njihet shumë, por realizimi i një vepre këto ditë, ka ngjallur jo pak reagime. Ai është autor i shtatores së Skënderbeut të përuruar në Prizren në nder të 28 nëntorit.
Nga të gjitha anët brenda dhe jashtë kufirit u shpreh zemërim dhe u bënë shumë kritika pasi shtatorja e paraqitur nga ai u tha të mos i ngjante aspak karakterit të Skënderbeut.

Por, Aliaj ka një përgjigje. Thotë se vepra e tij nuk bazohet në skulpturën e Odhise Paskal, por në imagjinatën e tij.
Reagimet nuk përfunduan vetëm më këtë shtatore. Në të njëjtin qytet dhe në të njëjtën ditë, u përurua edhe shtatorja e Adem Jasharit, punuar nga një amator nga Gjakova, por që nuk ngjante fare me komandantin legjendar.

Në Komunën e Prizrenit, thonë se shtatorja e Skënderbeut ishte investim i Organizatës “Trojet e Arbërit” dhe përgjegjësia e tyre ishte vendosja e lokacionit dhe bazamentit, ndërsa ajo e Adem Jasharit ka qenë investim krejtësisht privat.
Por, skulptori Gëzim Muriqi ka mjaftë kritika ndaj tyre. Sipas tij, skulptorët duhet të mos harrojnë se veprat e tyre nuk janë private, por ato u përkasin qytetarëve.