Stano: Qëndrimi i Bullgarisë ndaj gjuhës maqedonase nuk ka kurrfarë ndikimi mbi BE-në

Pasi publiku i kuptoi informacionet e pashpjeguara në lidhje me “dokumentin” bullgar në BE, sipas të cilit negociatat duhet të kushtëzohen me tërheqjen nga gjuha maqedonase dhe pakicës, është sqaruar sot vetë Bashkimi Evropian (BE).

Peter Stano, zëdhënësi i shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, ripërsëriti se si funksionon vendimmarrja në Bashkimin Evropian.

“Këshilli Evropian miratoi njëzëri vendimin për hapjen e bisedimeve të pranimit për Maqedoninë e Veriut. Pozicioni i BE-së shprehet qartë në konkluzat e Këshillit. Qëndrimet e njëanshme të shteteve anëtare nuk ndikojnë mbi këto konkluzione”, shkroi Peter Stano.

Muajin e kaluar, shtetet anëtare njëzëri dhanë dritën e gjelbër për të filluar sa më shpejt negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe pa ndonjë parakusht shtesë, ndryshe nga Shqipëria.

Në BE, është praktikë e shteteve anëtare që të shprehin mospajtimet e tyre me pjesë të vendimit të caktuar dhe ta bashkëngjisin dokumentin e tyre në aneks, që mendimi i tyre të regjistrohet, por kjo nuk ka peshë ligjore dhe as në këtë rast nuk e ndryshon atë në ndonjë mënyrë vendimin e BE-së për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut.