Standardi në Maqedoni, 57% më i ulët se mesatarja e BE-së

Standardi në Maqedoni vitin e kaluar iu afrua mesatares evropiane me një pikë përqindje, por është akoma 57 për qind më i ulët se standardi mesatar i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, tregojnë indikatorët fillestarë të Eurostat. E ngjashme është situata edhe me bruto prodhimin e brendshëm vendor për kokë banori sipas fuqisë blerëse, i cili megjithëse është një pikë përqindje më e lartë se dy vitet e kaluara, megjithatë vitin e kaluar ishte vetëm 38 për qind nga mesatarja e BE, tregojnë të dhënat e Eurostat. Përmirësimi i tillë minimal, megjithatë, nuk ishte i mjaftueshëm për të shkëputur vendin tonë nga fundi i listës së vendeve evropiane për sa i përket konsumit real individual dhe bruto prodhimit të brendshëm për kokë banori, tregojnë të dhënat nga Zyra Evropiane e Statistikave Eurostat të publikuara ditën e premte.

LARG EVROPËS

Konsumi real individual (Actual Individual Consumption – AIC) për kokë banori i shprehur në bazë të standardit të fuqisë blerëse (Purchasing Power Standards – PPS) në Maqedoni vitin e kaluar ishte 43 për qind më i lartë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, më mirë se Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria, tregojnë vlerësimet fillestare të Eurostat. Ose, me fjalë të tjera, vitin e kaluar standardi i Maqedonisë ishte 57% më i ulët se mesatarja evropiane. Në vitin 2018 dhe 2017, konsumi real individual në vend ishte në nivelin e 42 për qind të mesatares evropiane (ose 58 për qind nën mesataren e BE).Përveç 27 vendeve anëtare të BE-së, në renditje përfshihen edhe Britania e Madhe, Norvegjia, Zvicra dhe Islanda, pastaj vendet kandidate – Turqia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe Bosnja dhe Hercegovina. Dhe, sipas nivelit të BPV për kokë banori (e matur sipas standardit të fuqisë blerëse), e cila vitin e kaluar ishte në nivelin e 38 për qind të mesatares evropiane, ne ishim më mirë vetëm se Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.

Edhe te ky tregues Maqedonia vitin e kaluar uli hendekun në krahasim me mesataren evropiane me një pikë përqindje në krahasim me vitin 2018 dhe 2017. Pak më mirë se Maqedonia është Serbia, ku konsumi real individual është 49 për qind nga mesatarja evropiane, dhe BPV për kokë banori është 41 për qind. Dy vendet e tjera kandidate për në BE, Mali i Zi dhe Turqia, janë më të mirë se disa nga vendet anëtare të Unionit për sa i përket konsumit real individual. Kështu, Mali i Zi, i cili është në nivelin e 60 për qind të mesatares së BE-së, është më i mirë se Bullgaria (me një standard prej 59 për qind të mesatares evropiane dhe është në fund midis vendeve anëtare të BE-së), ndërsa tek Turqia ky tregues është 68 për qind nga mesatarja e BE-së dhe përveç se prej Bullgarisë, Turqia është më mirë se Kroacia (66%) dhe Hungaria (67%).

Rumania, nga ana tjetër, shënoi kërcimin më të madh sipas standardit në konsumin real individual, duke u barazuar me Poloninë, e cila është 21 për qind nën mesataren e BE-së. Për krahasim, një vit më parë, standardi i rumunëve ishte 29 për qind më i ulët se mesatarja e BE-së. Letonia, Sllovakia, Estonia, Greqia dhe Malta janë midis vendeve ku konsumi është midis 20 dhe 30 për qind nën mesataren evropiane (d.m.th. në nivelin prej 70 deri 80 për qind të mesatares së BE). Diku më i mirë ishte standardi në Lituani, Portugali, Republikën Çeke dhe Slloveni, ku konsumi real individual ishte 10 deri në 20 për qind nën mesataren e BE-së, dhe në Qipro dhe Spanjë shifra ishte rreth 10 për qind nën mesataren evropiane. Më afër me mesataren e konsumit individual në BE ishin Italia dhe Irlanda. Sa janë dallimet e mëdha edhe në kuadër të Bashkimit Evropian tregon fakti se në vetëm nëntë vende të BE-së, konsumi real individual i matur me standardin e fuqisë blerëse në vitin 2019 ishte më i lartë se mesatarja evropiane