Stabilizimi i çmimeve, pas luftës në Ukrainë

Për sa kohë që zgjatë lufta në Ukrainë nuk mund të pritet stabilizim i plotë i çmimeve, thonë prodhuesit e ushqimeve, por megjithatë shtojnë se nuk duhet të pritet rritje e e përnjëhershme dhe drastike e çmimeve. Në tre muajt e parë të këtij viti, llogaritë përfundimtare të disa kompanive shënuan humbje, për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe lëndëve të para që blejnë në bursat botërore. Çdo prodhues e krijon çmimin e produktit në varësi të harxhimeve, thonë nga dhoma e agrobiznesit në LOE.

“Prodhuesit po përballen me kushte të vështira pune, lëndët e para që përdoren në prodhim janë shumë të larta, e kam fjalën për grurin dhe energjinë dhe për punën e dorës me rritjen e fundit të pagave. Çdo kompani në bazë të analizave të brendshme përcakton se cilat janë shpenzimet e asaj kompanie dhe përcakton çmimin përfundimtar të produkteve. Në përgjithësi nuk ka rritje të çmimeve të produkteve bazë, por gjithsesi do të lija hapësirë dhe kohë se si do të lëvizin çmimet e lëndëve të para në bursa në të ardhmen”, tha Goran Gjorgjievski kryetar i ri i Odës së Agrobiznesit në Lidhjen e Odave Ekonomike.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet e ushqimeve në vend janë rritur më së shumti për frutat dhe perimet, qumështin, vajin, vezët dhe bukën. Në varësi të tregtarit dhe vendit të tregjeve çmimet lëvizin:
Çmimet aktuale
QUMËSHT 3,2 – nga 52 deri në 62 denarë për litër
ORIZ – nga 53 deri në 62 denarë për kilogram
MIELL – nga 31 deri në 44 denarë për kilogram
VAJ PËR USHQIM – nga 125 deri në 162 denarë për litër
VEZË – nga 259 deri në 272 denarë

Për herë të parë pas një viti, Organizata Botërore e Ushqimit ka regjistruar rënie të lehtë të çmimeve të ushqimeve në prill pas një rënie modeste të çmimeve të vajit të bimëve dhe drithërave. Rritja më e madhe në bursat botërore ndodh me produktet e drithërave, që nga fillimi i luftës. Ukraina është eksportuesi i katërt më i madh i misrit dhe eksportuesi i gjashtë më i madh i grurit në botë. Për momentin rreth 25 milionë tonë drithëra janë bllokuar në portet e Ukrainës dhe nuk mund të eksportohen, dhe prandaj kjo ka ndërprerë zinxhirët ushqimorë në mbarë botën. /Alsat.mk