Lista Serbe e ka quajtur të papranueshme vendimin e Radio Televizionit të Kosovës për largim nga puna të gazetares së RTK2, moderatoren/gazetaren Aleksandar Dogangjiq. Kjo e fundit, në një edicion të lajmeve, ju referua shtetin tonë si “Kosova dhe Metohija”.
“Shuarja e lirisë së shprehjes dhe sulmeve të motivuara etnike ndaj gazetarëve të redaksisë serbe të RTK2, dhe njoftimi për shkarkimin e gazetares Aleksandra Dogandzic, është presioni i fundit ndaj serbëve”, thuhet në reagim.
Sipas partisë së Goran Rakqit, gazetarja e kanalit serb është “akuzuar” për shkelje të rregullave sepse ajo përdori termin “Kosova dhe Metohija”, transmeton Indeksonline
“Kujtojmë publikun se edhe Kushtetuta e Kosovës që u miratua në Prishtinë në nenin 59.9. garantoi të drejtën e qytetarëve për të përdorur emrat vendorë, emrat e rrugëve dhe shenjat e tjera topografike”, sqarohet në reagim.
Tutje, sipas Sprska-s, shqiptarët përdorin termin Dukagjini për zonën e Metohisë, kështu që padyshim në Prishtinë ata mendojnë se serbët nuk kanë të drejtë të përdorin toponimet e tyre.
“Për të shtuar ironinë, gazetarët dhe redaktorët shqiptarë transmetuan një numër të madh artikujsh në RTK të cilat janë plot shovinizëm dhe urrejtje etnike, dhe asnjë gazetar nuk u pushua nga puna për këtë. Shembulli i fundit është lidhja e kambanave nga kishat serbe dhe shërbimet sekrete ruse, e cila u dënua edhe nga shoqatat ndërkombëtare të gazetarëve. Sigurisht se ishte raportimi skandaloz i Radiotelevizionit të Kosovës, që pati reagime nga OSBE si i papërshtatshëm sepse ato kontribuuan në sulmet etnike.
“Lista serbe dënon me forcë shtypjen e të drejtave të popullit serb nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe kërkon reagimin më urgjent të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Metohija, por edhe OSBE, UNMIK, ambasadën QUINT-it dhe të gjitha shoqatat e gazetarëve për të ngritur zërin e tyre dhe për të informuar të gjitha adresat përkatëse në lidhje me këtë shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhej në fund të komunikatës.
Ndryshe, drejtori i Transmetuesit Publik, Ngadhnjim Kastrati, ka paralajmëruar sanksione ndaj gazetares së RTK 2, Aleksandra Dogangjiq, e cila ka përdorur termin anti-kushtetues “Kosovë dhe Metohi” në raport me Republikën e Kosovës.
Gazetarja nga komuniteti serb i Transmetuesit Publik, i është referuar Republikës së Kosovës si “Kosovë dhe Metohi” në një edicion të lajmeve të RTK-së në gjuhën serbe më 3 maj.
“Nuk e kam parë ende rastin, por absolutisht nuk është e lejuar kjo gjuhë. Nuk ka ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe në institucionet tona nuk është e lejuar kjo gjuhë. Gazetarja nuk guxon ta përdor këtë term, sepse sanksionohet me rregullore”, ka thënë Kastrati.
Gazetarja Aleksandra Dogangjiq, për herë të parë në një transmetim të lajmeve në RTK2, i ishte referuar Republikës së Kosovës si “Kosovë dhe Metohi” në dhjetor të vitit 2018.
Aso kohë, Dogangjiq ishte suspenduar nga puna për një muaj.