Sqarime të rëndësishme rreth dozës së tretë të vaksinës

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga dita e nesërme të fillojë me administrimin e dozës së tretë të vaksinës Anti-COVID. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se qytetarët do të marrin dozën e tretë të vaksinës dhe atë përforcuese. Doza e tretë e vaksinës do t’u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur.

Këtë dozë do të mund ta marrin ata persona që më shumë se 8 javë dhe më pak se 6 muaj, kanë marrë dozën e dytë të COVID-19. Doza shtesë e COVID-19 e quajtur si dozë e tretë, u jepet njerëzve me sistem imunitar të komprometuar ose rëndë për të përmirësuar imunitetin e tyre.

Ndërsa, doza përforcuese të cilën qytetarët do të mund ta marrin 6 muaj pasi kanë marrë dozën e dytë të vaksinës, është dozë shtesë e vaksinës e cila vlerësohet si e nevojshme për shkak që mbrojtja që ofrojnë vaksinat mund të ulet me kalimin e kohës. Kjo dozë përforcuese jepet me qëllimin që qytetarët të mbrohen për një kohë më të gjatë ndaj COVID-19, pasi që imuniteti i tyre fillon të bjerë me kalimin e kohës.

Pra, përforcuesi është krijuar për të ndihmuar njerëzit të ruajnë nivelin e imunitetit për më gjatë.
CDC ka rekomanduar dozën përforcuese të COVID-19 për personat mbi 18 vjeç, të paktën gjashtë muaj pasi kanë marrë dozat e dyta.

Ndërsa, doza e tretë e vaksinës është rekomanduar për personat që kanë marrë trajtim aktiv për kancer, për personat që kanë pasur ndonjë transplant të organeve, për personat që po përdorin medikamente që mund të shkaktojnë shtypje të sistemit imunitar, për ata që janë diagnostikuar me HIV e me sëmundje tjera.