Spitalet modulare në Shtip e Kumanovë, të pasiguruara

As spitali modularë në Shtip nuk është i siguruar nga zjarret. Për shkak të arsyeve burokratike dhe vendimit të Institucioneve shëndetësore publike të mos intervenojnë për ta ndryshuar planin vjetor për prokurime publike, objektet e montuara për Kovid që kushtuan 4 milionë euro vetëm për ndërtim dhe 600 mijë euro plotësuese për pajisje ngelën të pasiguruara nga fatkeqësi të mundshme. I pasiguruar është edhe spitali modular në Kumanovë, ndërsa nga atje thonë se tashmë është shpallur tender për ta siguruar. Pyetëm në Ministrinë e shëndetësisë pse këto objekte nuk janë siguruar.

Spitalet modulare pasi vendosen më pas bëhet pranim-dorëzimi dhe me to menaxhojnë Institucionet shëndetësore publike. Zbatimi i mëtutjeshëm i protokolleve është në pajtim me vendimet e menaxhimit të spitaleve nën kompetencat e të cilave janë edhe këto reparte infektive ndihmëse”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mediat dje informuan se i pasiguruar është edhe spitali modular në kuadër të Klinikës infektive në Shkup edhe pse në përdorim është tash më shumë se një vit. Ky objekt është ndërtuar me doancione nga Zvicra. Nga Klinika thanë se sigurimi i kësaj pjese të montuar është në procedurë. Të pasiguruara janë edhe qendrat modulare në Manastir, Ohër dhe Strugë. Zjarri në spitalin modular në Tetovë që shkaktoi vd*ekjen e 14 personave e hapi çështjen, nëse drejtorët e spitaleve rajonale në vend i kanë siguruar këto spitale modulare.

Informata nuk ka as për atë nëse spitali modular i Tetovës ka qenë i siguruar nga fatkeqësitë. Ndryshe, mjetet për ndërtimin e këtyre spitaleve modulare janë siguruar përmes kredisë nga Banka Botërore e cila paralajmëroi se si financuese e projektit, me vëmendje i ndjekin ngjarjet dhe hetimin i cili duhet të tregojë pse u do*gj spitali modular në Tetovë. Spitalet modulare në Maqedoni i ka montuar kompania nga Velesi, Brako. Për momentin asnjë institucion nuk zbulon cila kompani e certifikuar ka bërë mbikqyrjen e ndërtimit të këtyre objekteve për t’u konfirmuar nëse të njëjtat janë sipas marrëveshjes të cilën e financon Banka Botërore.

As Ministria e shëndetësisë e as ajo e Punës dhe politikës sociale përmes të cilëve ka rrjedhur procedura për ndërtimin e spitaleve modulare nuk zbulojnë cila është kompania. Nëse ka pasur mbikqyrje në ndërtimin e spitaleve modulare heton edhe Prokuroria, ndërsa kompania Brako si realizuese tha se shtyrja e lëshimit në përdorim të spitalit të Tetovës është bërë vetëm për shkak të lëshimeve estetike.