Një ngjarje e pazakontë.
Spikeri i lajmeve në një televizion ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të shprehur pakënaqësinë e tij dhe për të njoftuar se nuk ka marrë rrogën, përcjell albinfo.ch.
Rasti ka ndodhur në televizionin KBN në Zambia të Afrikës. Teksa po jepte lajmet e mbrëmjes të së shtunës, spikeri Kabinda Kalimina bëri një akuzë të papritur në transmetim.
“Unë punoj për të dhënë lajmet, zonja dhe zotërinj. Ne jemi qenie njerëzore. Duhet të paguhemi”, tha ai, duke shtuar se “nuk kemi marrë rrogën”, duke iu referuar vetes dhe kolegëve të tij që punojnë për Tv KBN.
Pas këtij momenti reagoi edhe stafi drejtues i televizonit, që sjelljen e spikerit të lajmeve e konsideroi të papranueshme dhe për vetë spikerin tha se ishte në gjendje të dehur.
“Jemi të shokuar me sjelljen në gjendje të dehur të një prej prezantuesve tanë kryesorë dhe që është bërë virale në mediat sociale”, tha drejtori ekzekutiv i këtij televizioni, i cili në deklaratën e tij theksoi gjithashtu se për të gjithë punonjësit që kanë pakënaqësi, kanë një sistem të mirë për të bërë ankesat e tyre.
“Sjellja e Kabinda Kalimina nuk na përfaqëson ne si televizion. E dënojmë me forcë këtë sjellje të neveritshme dhe ftojmë gjithashtu publikun që ta refuzojnë këtë sjellje me përbuzjen që meriton”, thuhet në deklaratë.
Por vetë spikeri i lajmeve, që bëri njoftimin e pazakontë, reagoi më pas në Facebook, duke mbrojtur veprimin që bëri, duke thënë se “meqënëse shumica e gazetarëve kanë frikë të flasin, nuk do të thotë që gazetarët nuk duhet të flasin”.