Specialja ua vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit në Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin në Hagë ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli.

Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, ka hedhur poshtë kërkesën e Mbrojtjes për rishikim të vendimit për vazhdimin e paraburgimit ndaj të dy ish-krerëve të UÇK-së, vendim ky i bërë publik në ditën e përvjetorit të 15-të të pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Prokurorisë i është dhënë kohë jo më larg se më 27 shkurt, në të dyja rastet, që të përgjigjet.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor, të vitit 2020.