Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep ka bërë të ditur se kjo gjykatë ia ka vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.
Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo ka bërë të ditur se në rastin Thaçi dhe të tjerët, të martën, me 25 janar, një version i redaktuar publik i vendimit i gjykatësit të procedurës paraprake u dorëzua, me të cilin urdhërohej mbajtja e mëtejme në paraburgim e Hashim Thaçit.
“Gjykatësi i procedurës paraprake konstatoi që rreziku se i akuzuari të pengoj procedurat ose të kryej krime të tjera mund të zbutet mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimit të objekteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Griep.
Tutje, ajo bëri të ditur se të premten, më 21 janar, trupi gjykues 1 urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Salih Mustafës .
Sipas saj, gjykatësit konstatuan se rreziku i pengimit të ecurisë së procedurës vazhdon të ekzistojë, përfshirë rrezikun e ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë.
“Më 25 janar 2022 dëshmitari i dytë i fundit i thirrur nga prokuroria dëshmoi në rastin Salih Mustafa për zingjirin komandues, modalitetet e komunikimit dhe lëvizjet e UCK-së në rajonin e Gollakut. Përveç kësaj dëshmitari dëshmoi për njësitin BIA të UCK-së dhe rolin e funksionin e tij në prill 1999. Ai më tej dëshmoi për ofensivën e forcave serbe në zonën e Zllashit gjatë gjysmës së dytë të prillit 1999”, ka thënë ajo.
Griep tha se dëshmitari ka dëshmuar pa masa mbrojtëse. Ndërkaq, shtoi se javën e ardhshme, më 1 shkurt 2022, dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria pritet ta fillojë dëshminë në këtë rast.
“Prokuroria pritet të mbyll çështjen me 4 shkurt. Me 11 shkurt mbrojtja dhe avokati i viktimave do t’i paraqesin listat e tyre përkatëse të dëshmitarëve dhe të provave”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se më 17 dhe 18 shkurt trupi gjykues do të mbajë një konferencë mbi ecurinë e çështjes në prani të prokurorisë, mbrojtjes, avokatit të viktimave dhe zyrën administrative për të diskutuar për fazat e ardhshme të çështjes.
Sipas saj, më pas trupi gjykues do të vendosë për numrin dhe modalitetet e dëshmitarëve që do të dëgjohen, për datat dhe orarin e seancave.
Kurse tha se në rastin Gucati dhe Haradinaj, dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja e Haradinajt dëshmoi të premten, më 21 janar.
“Dëshmitari dëshmoi për fushën e përkufizimit dhe jurisprudencën e sinjalizimit. Dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e Haradinajt e filloi dëshminë e tij të hënën me 24 janar përmes videolidhjes”, ka thënë ajo.
Sipas saj, dëshmitari i katërt ka dëshmuar për operacionet e kontrollit dhe sekuestrimit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
“Dëshmia e tij do të vazhdoj të premten me 28 janar, në orën 8:00. Pas kësaj dëshmie trupi gjykues do t’i dëgjoj parashtresat e mbrojtjes dhe të prokurorisë për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në këtë rast”, bëri të ditur Griep.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.