Specialistët në Maqedoni kërkojnë masa ndaj Omicronit

Përhapja e variantit Omicron të koronavirusit ka bërë që të shtohen zërat për miratimin e masave për mbrojtjen e popullatës nga infektimi, edhe pse në Maqedoninë e Veriut ende nuk është regjistruar asnjë rast me këtë variant të COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut vlerëson se gjendja epidemiologjike në vend është e qëndrueshme dhe me tendencë të rënies së numrit të të infektuarve, sikur edhe të viktimave.

Por, mikrobiologu, Nikolla Ponovski thotë se institucionet nuk duhet të presin paraqitjen e Omicronit dhe më pas të miratojnë masa mbrojtëse.

“Sa i përket variantit Omicron, nuk duhet të rrezikojmë dhe të gjendemi përballë një situatë shpërthyese sikur gjatë verës me variantin Delta, që përfshiu pjesën veriperëndimore të vendit. Duhet të merren masa. Greqia nga java e kaluar vendosi që të kërkojë teste PCR, pavarësisht nëse ata që hyjnë në këtë vend kanë certifikata vaksinimi. Një masë e tillë do të duhet ta aplikojmë edhe ne gjatë periudhës së festave, pra për 15 apo 20 ditë apo varësisht gjendjes epidemiologjike”, thotë Panovski.

Ndërkohë, mjeku specialist i Institutit të Shëndetit Publik, Zllate Memedoviq, thotë se një ndër masat që duhet të miratohet është mësimi online në shkolla, apo gjysmëvjetor shkollor të përfundojë një javë para afatit të paraparë më 31 dhjetor.
Ai thotë se disa studime ndërkombëtare tregojnë se Omicroni më shumë prek të rinjtë e moshës nën 18 vjeç.

“Ka një studim serioz që është publikuar nga ‘Discovery’ e që është realizuar në Afrikën e Jugut, që flet për transmetimit e shpejtë të virusit te të rinjtë. Nëse shtrimet në spital te të moshuarit janë ulur për 30 për qind, kurse te të rinjtë e moshës nën 18 vjeç, kemi rritje të shtrimeve në spitale për 20 për qind. Mendoj se sa i përket masave, ne duhet të nisim me shkollat. Të paktën mësimi të zhvillohet online për një periudhë të caktuar, që të mbrojmë fëmijët nga infektimi, pasi tashmë dihet se Omicroni transmetohet shumë më shpejt. Pavarësisht variantit të ri, ne kemi gjithashtu edhe një rritje të numrit të fëmijëve me viruse dhe ftohje, kështu që duhet të merren masa mbrojtëse”, thotë Memedoviq.

Por, nga Ministria e Arsimit ka thënë se gjendje epidemiologjike në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut, është e qëndrueshme dhe se numri i infektimeve po vazhdon të ulet për dallim nga dy muaj më parë.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ka thënë se mësimi nuk do të ndërpritet derisa institucionet të mos konstatojnë ndonjë përkeqësim të mundshëm të gjendjes epidemiologjike.

“Në shkolla po respektohen protokollet, po mbrohet shëndeti publik ndërsa nxënësit kanë kushte të mira për mësim. Ne kemi bërë verifikim në shkolla, që tregoi se gjendja është stabile. Ne si Ministri, në bazë ditore mbledhim informacione dhe numri i të infektuarve nuk kalon më shumë se 0.3 për qind nga numri i përgjithshëm i të prekurve. Pra, kjo tregon se gjendja vërtetë është stabile dhe interesimi i fëmijëve është që të jenë në shkolla Megjithatë, nëse gjendja përkeqësohet, atëherë ne do të shqyrtojmë të gjithë mundësitë që vendimi të jetë në interes ë fëmijëve dhe shëndetit të përgjithshëm”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Milla Carovska.

Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht janë regjistruar rreth 220,000 raste me koronavirus, 7,815 viktima dhe rreth 5,500 raste aktive.
Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, numri i të vaksinuarve me nga dy doza sillet në rreth 39 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej dy milionë banorësh./REL/