Spasovski kundër ‘amnistisë’- nuk do ta zgjidhë problemin me shpopullimin e burgjeve

Ligji për amnisti ende nuk ka arritur në Kuvend, por përpos opozitës, kundër miratimit të tij është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ai vlerëson se kjo lloj zgjidhjeje e propozuar nuk do ta arrijë qëllimin për lehtësimin e mbipopullimi në burgje dhe mbart rreziqe për sigurinë. Spasovski thotë se shteti duhet t’i qaset problemit ndryshe, dhe zgjidhjet të shkojnë në drejtim të rritjes së kapaciteteve të burgjeve.

“As koha dhe as momenti i miratimit të Ligjit për Amnisti nuk është absolutisht i përshtatshëm. Së dyti, paralajmërimi se ligji do të përfshijë një numër të vogël njerëzish, gjithashtu nuk do të ndihmojë shumë. Por tani është punë e kuvendit. Mendoj se nuk do të ketë asnjë efekt, nuk do të kontribuojë në uljen e presionit ndaj institucioneve penale. Mendoj se shteti duhet të mendojë mirë për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të burgjeve”- tha Spasovski

Me ligjin që propozohet nga ministri i Drejtësisë, personat që janë dënuar me burg deri në gjashtë muaj do të lirohen plotësisht, ndërsa pjesa tjetër e të dënuarve për krime të lehta do t’u ulet dënimi me 30%. Qëllimi i miratimit të ligjit, siç qëndron në këtë version, është risocializimi i autorëve të krimeve dhe zvogëlimi i mbipopullimit në burgje dhe në këtë mënyrë shteti ka një kosto më të ulët financiare. Por, pikërisht për këtë nuk pajtohet Spasovski, sepse sipas tij, edhe në të kaluarën të dënuarit e amnistuar pas tre muajsh liri kanë përfunduar sërish në burg.

“Gjithmonë theksojmë se ata persona që kanë kryer krime, në radhë të parë grabitje, vjedhje të rënda, paraqesin një barrë shtesë për situatën e sigurisë. Ose nëse i shohim ligjet e kaluara për amnisti, do të shihni se shumica e atyre njerëzve për 2-3 muaj sërish janë kthyer në burg sepse i kanë përsëritur veprat penale dhe ne merremi me ta çdo ditë”-deklaroi ministri Spasovski.

Nëse ligji miratohet, do të jetë ministri i dytë që brenda një kohe të shkurtër kundërshton publikisht miratimin e tij. Paraprakisht me ndryshimet në Kodin Penal nuk ishte pajtuar ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, propozimin e të cilit e ka nënshkruar zëvendësja e tij. Sipas njoftimeve, ligji për amnisti duhej të kalonte në Kuvend të mërkurën, por Lloga e shtyu afatin me 10 ditë.