Spasovski: Gruevskin kurdoherë do ta kthejmë në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në emisionin e mbrëmshëm në TV24, në mënyrë optimiste tha se kurdoherë, i arratisuri Nikolla Gruevski do të kthehet në shtet.

“Gruevski kurdoherë do ta kthejmë në Maqedoninë e Veriut dhe patjetër duhet që të japë përgjegjësi për të gjitha veprat e këqija dhe krimet që i ka bërë. E shihni se tani ka hetim në pjesën e 27 Prillit, dhe pres që të gjitha çështjet do t’i prekin jo vetëm qytetarët e shtetit tonë, por edhe të Evropës, pasi që e drejta për luftë kundër krimit dhe korrupsionit është e drejtë numër 1 në integrimet evropiane. Për çdonjërin do të ketë përgjegjësi, por edhe për Gruevskin”, theksoi Spasovski.

Gruevski më 20 nëntor të vitit 2018 nëpërmjet një letre të gjatë shpjegoi se si ka arritur të fitojë azil nga autoritetet hungareze. Më 13 nëntor, Gruevski u paraqit në rrjetin social Fejsbuk se e ka lëshuar Maqedoninë për shkak të kërcënimeve dhe ka kërkuar azil politik në Hungari. Njoftimi i Gruevskit erdhi pasi që MPB-ja lëshoi fletë-arrest. Shkuarja e Gruevskit në Budapest ka ardhur pas njoftimit të Gjykatës në Maqedoni që i njëjti të paraqitet në Burgun e Shuto Orizares për ta vuajtur dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të prokurorisë Speciale Publike për furnizimin e mercedesit e vlerë pre rreth 600.000 euro. Gruevski, edhe pse s’ka pasur pasaportë ai në Hungari ka arritur nga Shqipëria, ku me ndihmën e diplomatëve hungarez ka kaluar në Mal të Zi, Serbi dhe në fund në shtetin me të cilin udhëheq konservatori dhe miku i tij, Viktor Orban. Sipas hetimit të deritanishëm nga Prokuroria, Gruevski e ka lëshuar Maqedoninë në mënyrë ilegale.