Spasovski: Fitues i zgjedhjeve të djeshme është secili votues

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski falënderoi qytetarët që shfrytëzuan të drejtën për të votuar në kushte të jashtëzakonshme si pasojë e pandemisë si dhe institucionet që mundësuan që procesi zgjedhor të zhvillohej pa pengesa.

“Fitues i zgjedhjeve të djeshme është secili votues, secili pjesëmarrës në procesin zgjedhor dhe para se gjithash dhe mbi gjitha, fitues është Republika e Maqedonisë së Veriut. Shteti ynë dëshmoi se është meritor për anëtarësimin në NATO dhe është meritorë për fillimin e negociatave për aderim në BE”, tha mes tjerash Spasovski.

Spasovski kërkoi që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sa më parë të njoftojë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare.

“Në periudhën e ardhshme, vullneti i qytetarëve duhet të shndërrohet në formim të institucioneve legjitime, para se gjithash Kuvend funksional dhe Qeveri funksionale. KSHZ ka për detyrë dal në konferencë për shtyp dhe të njoftojë rezultatet”, tha Spasovski.