Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka uruar kryeministrin e ri të zgjedhur dje në Kosovë, Albin Kurtin, për formimin e qeverisë së re.
Spasovski në rrjetet sociale ka uruar Kurtin në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, duke shfaqur shpresë për ndërtimin e bashkëpunimit të afërt.
“Urime kryeministrit Albin Kurti për formimin e qeverisë së re. Shpresoj që në periudhën në vijim do të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunim më të afërt në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe Maqedonsië së Veriut”, shkroi Spasovski.
Ndër zyrtarët e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që kanë uruar Kurtin, është edhe kryediplomati Nikolla Dimitrov, i cili në rrjetet sociale formimin e qeverisë së re të Kosovës e cilësoi si të rëndësishme për vet vendin, por edhe për rajonin.
“Një ditë e rëndësishme për miqtë dhe fqinjët tanë, Kosovën, por edhe për rajonin. Urime dhe mezi pres për të punuar me homologun tim të ri, Glauk Konjufca dhe qeverinë e Albin Kurtit drejt rritjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe ofrimit të një perspektive më të mirë për rajonin tonë. Urime fqinj i mirë”, shkroi Dimitrov.
Dje, pas katër muajve vonesë, me shumicë votash Kuvendi i Kosovës votoi për formimin e qeverisë së re të vendit, të kryesuar nga Albin Kurti i Vetëvendosjes (VV), i cili arriti marrëveshje për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetorit të kaluar në Kosovë, partia e Kurtit arriti të grumbulloi më shumë vota, ndjekur me një rezultat të ngushtë nga LDK-ja.