Spanja shënon rekord ditor dhe ia kalon Kinës – 738 të vdekur nga virusi për një ditë


Vetëm në 24 orët e kaluara, 738 persona kanë vdekur në Spanjë si pasojë e infektimit me koronavirus. Kjo është shifra më e madhe që është shënuar për periudhën njëditore në shtetin e Evropës Jugore.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 3434, duke e vendosur Spanjën në vendin e dytë në botë, tashmë para Kinës, ku filloi përhapja e virusit të ri në dhjetor të vitit të kaluar.

Spanja gjithashtu e ka një prej përqindjeve më të mëdha të të infektuarve në mesin e punëtorëve shëndetësorë, që po e vështirëson edhe më tepër luftën kundër epidemisë.

Autoritetet spanjolle kanë kërkuar ndihmë urgjente nga NATO-ja, përfshirë 1.5 milion maksa, 150 mijë palë rroba mbrojtëse për mjekët dhe 450 mijë respiratorë.

Të martën, qeveria gjithashtu njoftoi se do të fillojë të përdorë teste të shpejta për zbulimin e statusin shëndetësor të popullsisë, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Spitalet e Madridit janë stërmbushur me pacientë dhe disa prej tyre po detyrohen të presin në radhë ose po qëndrojnë në korridore.