Spanja e gatshme ta njoh Kosovën por nëse ….

Spanja do të ishte e gatshme të njihte Kosovën nëse zgjidhte një marrëveshje me Serbinë, ka thënë Madrid, në sinjalin e parë pozitiv të këtij lloji që kur rinisin bisedimet me ndërmjetësimin e BE. Madridi zyrtar njoftoi se Spanja do të ishte e gatshme të njihte Kosovën si shtet të pavarur nëse arrihet një marrvëshje me Serbinë, shkruan EUobserver. Ministria e Jashtme Spanjolle ka thënë për EUobserver, se pozicioni i Spanjës nuk është obstruksionist, por përkundrazi është konstruktiv.

“Pozicioni spanjoll mund të sintetizohet në fjalinë vijuese: ‘asgjë pa një marrveshje, gjithçka me të’, përfshirë këtu edhe njohjen politike të Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, thanë nga MJS. Spanja nuk e ka njohur Kosovën sepse e konsideroi deklaratën e saj të pavarësisë të njëanëshme dhe në kundërshtim me sundimin e ligjit si dhe me idenë e Spanjës për një Evropë të larmishme dhe tolerante, shtoi tutje MJS. Por Spanja beson në një marrëveshje të pashmangshme mes Kosovës dhe Serbisë edhe me koncensionet e vështira që do të nënkuptojë.

Kjo deklaratë përsëriti pak a shumë pozicionin e mëparshëm të Spanjës mbi çështjen e Kosovës si dhe ato të katër vendeve tjera jo-njohëse të BE-së, të cilat janë Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. E kjo deklaratë e zyrtarëve spanjollë përkon me rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi pas një pauze gati 2 vjeçare. E lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel.

“Sipas informacionit tonë, qeveria aktuale spanjolle, në krahasim me ato të mëparshmet është më pak fleksibile në lidhje me pjesëmarrjen në takime së bashku me përfaqësuesit e Kosovës”, tha ajo. Tutje ajo shtoi se kjo tregon saktësisht rëndësinë e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinë, duke thënë se vlenë të vazhdohet me bisedimet. Ndërsa një profesor i politikës në Universitetin e Graz në Austri, Florian Bieber, ka thënë se Spanja ka qenë më dogmatike sesa jo-njohësit e tjerë, kështu që një sinjal në këtë drejtim është inkurajues.

Ndërsa të pyetur nga EUobserver për pozicionin e tyre lidhur me njohjen e Kosovës, Ministritë e Jashtme të Qipros, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, nuk pranuan të sqarojnë pozicionin e tyre.
Shembull spanjoll
Von Cramon tutje ka thënë se nëse Spanja do të ndryshonte qëndrim, dhe në rast të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë, do vinte njohja për Kosovën, të njëjtin shembull do ta ndjekin edhe jo-njohësit e tjerë.

Sipas saj Spanja mund të japë një shembull të mirë në këtë proces dhe pikëpamja e tyre mund të jetë një motivim për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi. Me deklaratën e saj u pajtua edhe profesori Bieber, i cili tha se Greqia, Rumania dhe Sllovakia ka më shumë gjasa ta njohin Kosovën nëse situata mes dy vendeve ‘është e pjekur’. Por sipas tij Qipro është më e ashpër, porçështja është nëse do ishte në gjendje të vazhdonte rezistencën për mosnjohje të Kosovës e vetme. Sipas tij, tani për tani nuk ka ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë.

Edhe pse SHBA kohët e fundit ndërmjetësuan një mini-marrëveshje mbi lidhjet ekonomike Kosovë-Serbi, në bisedimet më të rëndësishme të BE-së, Beogradi dhe Prishtina kanë arritur një ngërç të ri se si t’i kalojnë kompetencat Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ndërkohë, një arsye tjetër pse Spanja nuk e njohi pavarësinë e Kosovës ishte edhe frika e inkurajimit të seperatistëve në rajonin spanjoll të Katalonisë.

Premtimet e BE-së
Por për eurodeputeten gjermane, von Cramon, nëse jonjohësit refuzojnë të lëkunden edhe sikur të kishte një marrëveshje Kosovë-Serbi, kjo do të bënte një tallje me procesin e BE.
“Pa marrëveshje dhe pajtim nuk ka asnjë perspektivë të vërtetë evropiane. Sidoqoftë, nëse ata mund të ecin përpara, BE duhet të jetë e hapur për ta,” tha ajo.

“Pa njohje nga vendet anëtare, perspektiva evropiane mbetet një ëndërr për Kosovën. Është e vështirë të imagjinohet një takim i Këshillit të BE-së ku disa vende nuk njohin një nga anëtarët pjesëmarrës,” shtoi ajo.
“I gjithë dialogu midis Serbisë dhe Kosovës ka kuptim vetëm nëse një marrëveshje normalizimi zhbllokon njohjen për Kosovën. Kjo do të lejojë që Kosova të bashkohet me procesin e zgjerimit me seriozitet,” tha gjithashtu profesori Bieber.

Për eurodeputeten gjermane, pajtimi Kosovë-Serbi ishte i rëndësishëm për Ballkanin e gjerë Perëndimor, si dhe sipas saj BE duhet të jetë e gatshme të pranojë ata kandidatë që janë gati të bashkohen. Por nga ana e saj, Kosova tashmë ka pasur një përvojë të keqe me premtimet e BE-së, pasi shtetet anëtare nuk arritën t’i japin asaj udhëtime pa viza për arsye politike, edhe pse ajo plotësoi kriteret teknike dy vjet më parë.