Sotirova: Gazetari kishte kontakt me një anëtar të familjes që është pozitiv në virusin


Në familjen e gazetarit që është pozitiv për koronavirusin është një anëtar tek i cili është konfirmuar virusi. Gazetari kishte kontakte me atë anëtar të familjes së ngushtë, deklaroi sot drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, Irinka Sotirova.

“Në familjen e ngushtë të personit të përmendur është një anëtar që është pozitiv. Gazetari kishte kontakte me atë anëtar të familjes së tij, por për informacione të hollësishme kush, ku dhe kur do të vendoset në izolim të mundshëm do të pasojnë pas studimit të kryer nga Qendra për Shëndet Publik, e cila aktualisht është duke u zhvilluar”, tha Sotirova në konferencën për shtyp në Qeveri.

Ajo informoi se mbaroi edhe mbikëqyrja inspektuese në Shtëpinë e kujdesit për të rriturit “Su Rajder” në Manastir.

Janë miratuar më shumë se 12 masa që duhet t’i zbatojë Shtëpia për Kujdesin e personave të moshuar, duke përfshirë edhe izolimin e personave që kanë qenë në kontakt me pacientin, dezinfektimin e hapësirës dhe mosndërhyrjen e personelit që punon në atë departament me departamentet e tjera.

Sotirova informoi se personi i sëmurë ishte pranuar në Shtëpinë më 18 mars, ndërsa më parë më 11 dhe 12 mars ai kishte kontakte me një mbesë që mbërriti nga një vend me rrezik. Simptomat te personi u shfaqën më 2 prill, pas së cilës u testua menjëherë dhe më 4 prill doli rezultati pozitiv. Personi ishte shtruar në spital në Repartin e Sëmundjeve Infektive në Manastir dhe sipas informacioneve të fundit ai është në gjendje të mirë shëndetësore.