Sot takimi Tramp-Abe, në fokus shqetësimet për sigurinë e Japonisë

Kryeministri japonez Shinzo Abe do të takohet sot me presidentin Donald Tramp, pak ditë para se ky i fundit të takohet në Singapor me liderin koreano verior Kim Jong-un. Vizita e Abe është pjesë e një sërë lëvizjesh diplomatike para samitit të paprecedentë të 12 qershorit. Pak detaje janë publikuar për axhendën e takimit Tramp-Kim. Kryeministri Japonez, Shinzo Abe, pritet t’i paraqesë sot presidentit amerikan shqetësimet për sigurinë e Japonisë. Abe është takuar rregullisht me Tramp që kur ky i fundit mori detyrën e presidentit të SHBA-ve. Sapo u njoftua që zoti Tramp synonte të takohej me liderin koreano-verior, zoti Abe ka këmbëngulur që ta informojë atë për shqetësimet e Japonisë, pasi Tokio druan se mos zoti Tramp do të arrijë një marrëveshje me Korenë e Veriut që do të anashkalojë interesat japoneze. Para se të nisej për në SHBA, zoti Abe tha se do ta takonte presidentin amerikan për t’u koordinuar me synim avancimin e progresit mbi cështjen bërthamore, raketat, dhe ç’është më e rëndësishme për çështjen e shtetasve japonezë të rrëmbyer nga Korea e Veriut. Në vitet 1970 dhe 1980, Korea e Veriut ka rrëmbyer një numër qytetarësh japonezë, për të trajnuar spiunët e saj për gjuhën dhe zakonet japoneze. Vendi komunist ka pranuar se ka rrëmbyer 13 shtetas japonezë, por shifra e vërtetë mendohet të jetë më e lartë.