Sot seanca ndaj krerëve të UÇK-së: Kjo është tema që pritet të nxis debat të ashpër

Sot do të mbahet konferenca e dhjetë për ecurinë e çështjes në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Konferenca pritet të mbahet në ora 14:30, ndërkaq që pritet debat i nxehtë mes mbrojtjes dhe prokurorisë, shkruan lajmi.net.

“Mollë sherri” pritet të jetë një propozim i Prokurorisë i cili ka shkaktuar shumë shqetësim tek avokatët, sidomos tek ai i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Ky i fundit në shkresën të cilën e ka dërguar në gjykatë të cilën e ka parë lajmi.net, ka thënë se Prokuroria bazuar në numrin e dëshmitarëve, ka kërkuar gjithësej 1 mijë e 863 orë për të paraqitur çështjen e saj në gjykim.

“Mbrojtja regjistron shqetësimin e saj dhe i tërheq vëmendjen gjyqtarit të procedurës paraprake për kohëzgjatjen e parashikuar të gjykimit. Prokuroria ka treguar në Rregullën e saj 95(4)(b) Lista e dëshmitarëve se kërkon gjithsej 1,863 orë për të paraqitur çështjen. Për ta vendosur këtë kërkesë në perspektivë, Mbrojtja ka nxjerrë dy shembuj nga raste të ngjashme me shumë të akuzuar në ICTY”, thuhet në shkresën e Emmerson.

Emmerson ka theksuar faktin se në çështjen kundër Prliç, prokuroria kishte marrë 296 orë për të prezentuar çështjen, apo gjithësej 1 vit e 9 muaj.

Avokati gjithashtu ka theksuar se në çështjen e Milutinoviqit, prokuroria kishte kërkuar 166 orë apo 10 muaj për të prezentuar çështjen e saj, shkruan tutje lajmi.net.

Ndërkaq, në rastin e krerëve të UÇK-së, Emmerson ka thënë se nëse shkohet me të njëjtin model të mbajtjes së seancave, vetëm prezentimi i çështjes së Prokurorisë do të zgjaste mes 9 e 11 vite.

“Kjo do të thotë se, nëse rasti në fjalë do të zhvillohet në një shkallë të ngjashme me Prlić dhe të tjerët, rasti i Prokurorisë do të zgjaste 132 muaj, pra mbi 11 vjet. Nëse kryhet në një shkallë të ngjashme me Shainović et al. (Milutinoviq), atëherë rasti i Prokurorisë do të zgjaste 112 muaj, pra mbi 9 vjet” ka thënë Emmerson.

Emmerson ka thënë se një gjykim i tillë i zgjatur në asnjë mënyrë sipas tij nuk do t’i shërbejë interesit të drejtësisë dhe asnjërës palë në këtë rast.

“Mbrojtja pohon se një gjykim i tillë i zgjatur në asnjë mënyrë nuk do t’i shërbejë interesit të drejtësisë për asnjërën nga Palët ose për këtë Gjykatë. Rasti më i thjeshtë i prokurorisë do të kishte një ndikim pozitiv në të gjitha aspektet e kësaj çështjeje dhe është në interes të të gjitha palëve”, ka thënë Emmerson në shkresën e tij.

Kjo dhe çështje tjera do të diskutohen në seancën e cila do të jetë konferencë mbi ecurinë e çështjes dhe pritet të nxis mjaftë reagime.

Më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Lajmi.net/