Sot pritet të shkojë në burg, Blendi Fevziu takon Salianjin dhe e “këshillon”: Mos e merr me siklet

Deputeti demokrat, Ervin Salianji, pas vendimit të prerë të Gjykatës së Apelit e cila la në fuqi masën e sigurisë me një vit burg për dosjen “Babale”, ka marrë pjesë në disa studio televizive.

Fillimisht, deputeti demokrat ishte i ftuar në emisionin “Opinion” ku ritheksoi se vendimi për dënimin e tij është politik, teksa nuk nguroi më tej të sulmonte dhe gjyqtarët të cilët shqyrtuan dosjen e tij. Konkretisht sipas Salianjit gjyqtari Artan Gjermani ka dalë në komunikimet e aplikacionit “SKY” duke marrë para për të mbyllur dosjen e shumëpërfolur “Toyota Yaris”.

Sakaq, në përfundim të intervistës së tij në “Opinion” ka qenë vetë moderatori i këtij emisioni, Blendi Fevziu, i cili ka dalë personalisht për ta përcjellë deputetin dhe ia ka dhënë atij e disa “këshilla”.

“Më falni, ta përcjell pak Salianjin se mund të ketë një kohë të gjatë për ta takuar. Mos e merr me siklet“, dëgjohet të thotë Fevziu teksa përcjell dhe takon Salianjin.

Kujtojmë se, ditën e djeshme, datë 26 Shtator 2024, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të lërë në fuqi vendimin e disa viteve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, për dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për dosjen “Babale”.