Sot në Kuvend diskutohet për mbajtjen e maskës në ambient të hapur dhe kufizimin e numrit të mysafirëve

Ligji për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, sot pritet të jetë në procedurë parlamentare. Me ndryshimet e propozuara, mbajtja e maskës do të bëhet e obligueshme edhe në ambient të hapur, ndërsa do të kufizohet edhe numri i mysafirëve që mund të pranohen nëpër shtëpi nga qytetarët
Nga partia opozitare OBRM-PDUKM ende janë me qëndrim se ndryshimet e propozuara për Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, nuk do të sjellin asgjë konkrete në luftën kundër pandemisë. Por edhe krahas vërejtjeve të tyre, thonë se nuk do të pengojnë sjelljen e ndryshimeve.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, pret të sillen ndryshimet dhe siç thotë, nëse respektohen ato masa, do të shmanget vendosja e orës policore. Megjithatë konfirmoi se do të ketë kontrolle të përforcuara dhe dënime.
“Sinqerisht besoj se Ligji do të sillet, me qëllim që të shmangim orën policore dhe këto janë masa që në mënyrë praktike imitojnë orën policore për shkak se pas orës 23 asgjë nuk do të punojë dhe qytetarët nuk do të kenë ku të shkojnë. Me ndryshimet e Ligjit që nesër do të jenë në Kuvend, dukshëm do të rriten kompetencat e të gjithë inspektorateve. Kështu që vlerësoj se me sjelljen e këtij ligji edhe kontrollet edhe sanksionimi bindshëm do të përmirësohen”, u shpreh dje Venko Filipçe.