Sot më së voni deri në mesnatë duhet të zgjidhet Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut

Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re, e propozuar nga mandatari dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, do të vazhdojë sot, ndërsa votimi do të bëhet pas përfundimit të debatit, më së voni deri në mesnatë. Qeveria do të zgjidhet nëse për të votojnë shumica e deputetëve të Kuvendit.

Shumica parlamentare që pritet ta mbështesë qeverinë e re në Kuvend përbëhet nga 78 deputetë: 58 nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, 14 nga koalicioni VLEN dhe gjashtë nga ZNAM.

Programi i punës së Qeverisë për vitet 2024-2028, i dorëzuar në Kuvend nga mandatari Hristijan Mickoski, është përshkruar në gjashtë shtylla dhe ka mbi 60 faqe. Synimi kryesor është rindërtimi i besimit në institucionet e pushtetit shtetëror, eliminimi i korrupsionit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe rigjallërimi ekonomik me qëllim krijimin e vendeve të punës produktive dhe të paguara mirë.

Mickoski dje në seancën plenare në ekspozén e tij njoftoi për investime, forcimin ekonomik të shtetit, uljen e papunësisë dhe rritjen e GDP-së. Deputetët e opozitës kritikuan programin dhe pyetën Mickoskin nëse kishte gënjyer qytetarët për mos përdorimin e mbiemrit “veriore” dhe për anulimin e marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë.