Sot mbi Shkup do të fluturojnë avionë ushtarak B52

Me dy avionë ushtarakë të tipit B52, sot në orën 14:35, Forcat ajrore amerikane në Evropë dhe Afrikë do të kryejnë fluturime mbi Shkup.

Nga Ministria e Mbrojtjes informuan se fluturimet e aeroplanëve do të demonstrojnë aleancën e fortë të NATO-s dhe përbëjnë garantues për të gjithë zonën euroatlantike, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Nga atje theksojnë se gjatë ditës, përveç mbi qiellin e Maqedonisë, Forca ajrore amerikane do të fluturojë edhe mbi Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, për të treguar përkushtimin dhe garantimin e sigurisë ndaj aleatëve ballkanikë dhe partnerëve të NATO-s.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë stërvitje të reja ushtarake me ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Ky njoftim është bërë i ditur, teksa ushtria maqedonase shënoi 30-vjetorin e themelimit, disa ditë më parë.

Sipas njohësve të çështjeve politike dhe ushtarake, ky hap flet qartë për përkushtimin e Uashingtonit për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një ndryshim në Ligjin e mbrojtjes kombëtare, Kongresi amerikan i kërkoi Pentagonit të propozojë më shumë stërvitje ushtarake me Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm, sipas Projektligjit për buxhetin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm fiskal.