Sot fillon skriningu masiv për Covid-19 në Maqedoni

Prej sot fillon skriningu i punonjësve në kopshte, si dhe për kategori të caktuara të rrezikut.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje paralajmëroi se do të fillojnë me të punësuarit nga kopshtet të cilët janë afër 2000 me qëllim të përgatitjes së protokollit për punë të kopshteve për vënien e tyre në funksion.

“Në periudhën e ardhshme presim një situatë të qëndrueshme dhe të qetë sa i përket epidemisë. Meqenëse kapacitetet e testimit janë lehtësuar, që nga nesër do të fillojmë me skrining masiv – fillimisht do të fillojmë me punonjësit në kopshtet e fëmijëve”, tha Filipçe.

Skriningu planifikohet të bëhet me të njëjtat teste PSR si më parë, ndërsa qëllimi është të identifikohen bartësit asimptomatikë me teknikën PSR.

Sipas planit, me skriningun duhet të përfshihen punonjësit në kopshte, spitale, shtëpi të pleqve, pacientët me sëmundje kronike, pacientët me terapi biologjike, punonjës në NQP dhe të tjerë nga dhjetëra grupe të rrezikut.