Sot është ditëlindja e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti!

Ali Ahmeti lindi më 4 janar të vitit 1959 në fshatin Zajaz të Kërçovës, Republika e Maqedonisë. Angazhimi politik i tij ka filluar qysh në shkollë të mesme, kur arriti që me sukses të vendoste përdorimin e gjuhës shqipe në gjimnazin e tij në Kërçovë. Në vitin 1979 Ahmeti fillon studimet në Fakultetin filozofik pranë Universitetit të Prishtinës, ku diplomon në vitin 1983.

Gjatë viteve 1981 dhe 1983 ai bëhet njëri nga bartësit e lëvizjes studentore qëllimi i së cilës ka qenë përmirësimi i statusit politik të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni dhe ka ndihmuar në organizimin e protestave studentore në Prishtinë, aktivitet i cili kulminoi me arr*estimin dhe dënimin në një vit bu*rg për bindje politike. Në vitet 1984/86 ka ndihmuar në ripërtrirjen e lëvizjes studentore dhe popullore në Kosovë. Në vitin 1986, Ahmeti fiton azil politik në Zvicër, ku jeton deri në vitin 2001 dhe vepron si koordinator i grupeve të ndryshme. Në vitet 1988/89 ai është njëri nga udhëheqësit e protestave të minatorëve dhe studentëve të cilat për herë të parë më seriozisht e sfiduan regjimin e Sllobodan Miloseviqit.

Në vitet 1989/90 ai ka qenë njëri nga organizatorët e protestave masive të diasporës shqiptare nëpër Europë. Mbështetjen e tij politike gjatë këtyre viteve Ahmeti e ka pasur në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në vitin 1986 ai është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, me detyrë ndërlidhjen ndërmjet Kosovës dhe Europës. Në vitin 1988 ai është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, funksion në të cilin është rizgjedhur në vitin 1993, me detyrë speciale në sektorin ushtarak. Në vitin 1996, në vlugun e rritjes së presionit dhe dhu*nës kundër shqiptarëve të Kosovës, Ahmeti ka qenë njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998, në fillim të lu*ftës, ai është zgjedhur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2001 Ali Ahmeti zgjidhet Komandant Suprem dhe Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Pas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar në gusht dhe shpërbërjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në shtator të këtij viti, Ahmeti angazhohet aktivisht në procesin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për këtë qëllim, në fillim të vitit 2002 ai e inicoi dhe u emërua Kryesues i Këshillit Koordinues që bashkonte partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe strukturat e mëparshme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në një platformë të disenjuar për ta shtyrë përpara implementimin e marrëveshjes paqësore. Në qershor të vitit 2002, Ahmeti e themelon Bashkimin Demokratik për Integrim dhe zgjidhet Kryetar i kësaj partie.
Në shtator të vitit 2002, Bashkimi Demokratik për Integrim e fitoi besimin e shumicës dërmuese të elektoratit shqiptar në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë. Ali Ahmeti u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim hyri në koalicionin qeveritar.