Sot dhe nesër do të ketë reshje bore, ndërsa për disa akse rrugore janë vendosur ndalesa dhe paralajmërime

Sot moti do të jetë kryesisht i vranët dhe i ftohtë, me reshje të herëpashershme bore me intensitet të dobët deri mesatar. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval nga -6 deri në -1 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga -3 deri në 3 gradë Celsius.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht i vranët dhe i ftohtë, me reshje të herëpashershme bore me intensitet të dobët. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të zbresë deri në -3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 2 gradë Celsius.

Të martën do të ketë reshje të lehta bore dhe do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperaturat e mëngjesit do të jenë kudo negative, ndërsa ato të ditës, në disa zona, do të mbeten nën zero. Në ditët në vijim, moti do të jetë stabil, por ende shumë i ftohtë, me temperatura të ulëta në mëngjes, të cilat për shkak të kthjellimit priten të bien edhe më tej, në disa zona nën -10 gradë Celsius.

Qarkullimi në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimri, me shtresa të lagështa dhe mbetje bore të shkrirë në sipërfaqe, pas ndërhyrjes së ekipeve të kujdestarisë së Ndërmarrjes Publike “Makedonijapat”. Reshje bore me intensitet të ndryshueshëm janë regjistruar në mëngjes në mbarë vendin, informon LAAM.

Që nga ora 06:30 është normalizuar lëvizja për mjetet e rënda transportuese në autostradën A1, nga nyja Demir Kapi deri te nyja Smokvicë.

Ka ndalesa aktive për lëvizjen e kamionëve në akset rrugore Gostivar – Mavrovë – Dibër, Gostivar – Strazhë – Kërçovë, në Presekë, Pletvar, Gjavato, Strugë – p.k. Qafë Thanë, Tetovë – Kodra e Diellit (për llojet e tjera të mjeteve është e detyrueshme përdorimi i pajisjeve dimërore) dhe Strumicë – Berovë.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare nga ana maqedonase nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

LAMM rekomandon shpejtësi të përshtatur të lëvizjes, respektimin e sinjalistikës rrugore të vendosur dhe drejtim të kujdesshëm të mjeteve, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër ultësira, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ka mundësi për rrëshqitje gurësh. Kjo vlen veçanërisht për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.