Sondazhi nga Pyper: 62% e qytetarëve janë pro pasaportave të vaksinimit

Ideja për pasaporta digjitale që tregojnë se një person është vaksinuar kundër COVID-19 po përhapet çdo ditë e më shumë edhe në vendin tonë. Këtë e tregon edhe sondazhi i realizuar së fundmi nga Pyper.
Një pjesë dërrmuese e të anketuarve (75%) kanë dëgjuar për termin ‘pasaportë e vaksinimit’. E të pyetur se a janë pro apo kundër përdorimit të kësaj pasaporte në Kosovë, 62% e pjesëmarrësve janë përgjigjur me ‘Po’ ndërsa 38% të tjerë me ‘Jo’.

Nëse këto pasaporta do të përdoreshin në Kosovë pothuajse shumica e qytetarëve pjesëmarrës (79%) do preferonin që pasaporta të ishte kopje digjitale (e qasshme në telefon të mençur) ndërsa 21% do preferonin që pasaporta të ishte një kopje fizike (e printuar në letër).
Sipas 60% të të anketuarve, vetëm personat e vaksinuar plotësisht duhet të marrin pjesë në ngjarje ku mund të ketë numër të madh të njerëzve si p.sh. ndeshje sportive, koncerte etj. Për dallim prej tyre, 40% e qytetarëve pjesëmarrës nuk pajtohen me këtë.

Pos kësaj, 60% e qytetarëve mendojnë se të gjithë personat që nuk kanë nënshtetësi kosovare duhet të kenë pasaportë të vaksinimit për të hyrë në Kosovë. E për dallim prej këtyre 40% e tyre nuk e shohin si diçka të nevojshme.
Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë 1,198 persona anembanë Kosovës.