Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesit e Ansamblit “Emin Duraku” nga Zhuri, me të cilët ka biseduar për realizimin organizimit “Sofra e Gurbetqarëve”, i cili mbahet për herë të parë si i tillë në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Gashi është pajtuar që ky aktivitet kulturor të organizohet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Si shenjë mirënjohjeje, falënderimi dhe mikpritjeje për bashkatdhetarët tonë që jetojnë e veprojnë në Mërgatë, e që vijnë e kryejnë pushimet në vendlindje, pa hezitim kam miratuar kërkesën që organizimi kulturor në fjalë të realizohet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti”, tha ai.
Në kuadër të këtij aktiviteti që do të mbahet më 31 korrik në Prizren, planifikohen të mbahen pika të ndryshme artistike të vlerave të mirëfillta autoktone shqipe por edhe do të shpërndahen mirënjohje për ata që kanë kontribuuar për çështjen e shtetësisë së Kosovës në forma të ndryshme.
Përfaqësuesit e Ansamblit e falënderuan ministrin Gashi për gatishmërinë e treguar dhe e informuan për punën, planet dhe sfidat me të cilat përballet ansambli.