Snopçe pjesë e konferencës së organizuar në Berlin, nga instituti Aspen i Gjermanisë

Prej 21-24 qershor, si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, deputeti Halil Snopçe është pjesë e konferencës së organizuar në Berlin, nga instituti Aspen i Gjermanisë me titull: “Demokratizimi dhe roli i parlamenteve në Ballkanin Perëndimor”.

Me këtë rast pati fjalim në dy sesionet e organizuara të datës 22 qershor ku foli për Demokratizimin e parlamenteve në sesionin e parë, si dhe për rolin e parlamentit dhe bashkëpunimin me institucionet e pavarura në sesionin e dytë.

Poashtu në kuadër të këtij organizimi patën vizitë në Bundestagun Gjerman. Aty deputeti Snopçe pati rastin të marr pjesë në sesionin e përbashkët me zëvendës kryetaren e Bundestagut Yvonne Magwas (CDU/CSU). Gjatë këtij sesioni kishin dialog të frytshëm mbi funksionimin dhe sfidat e parlamenteve.
Ndërkaq, në kuadër të darkës së përbashkët, pati edhe shumë biseda joformale me deputetët e grupit parlamentar të Bundestagut për Ballkanin Perëndimor./TS/