Sllovenia ka përkrah propozimin portugez për kontestin Maqedoni-Bullgari

Autoritet maqedonase i kanë drejtuar sytë kah presidenca sllovene e Bashkimit Evropian, duke varur të gjitha shpresat për sa i përket zhbllokimit të procesit euro-integrues në të.
Ambasadori i Sllovenisë në Shkup, Milan Predan, në një intervistë thotë se propozimi portugez është një bazë e mirë për arritjen e kompromisit mes palës bullgare dhe asaj maqedonase.

“Ne jemi relativisht të kënaqur që tani e kemi këtë propozim në tavolinë, i cili nuk ishte refuzuar nga pala bullgare, çka gjithashtu është me shumë rëndësi. Kemi diçka ku mund të punojmë. Ne nuk fillojmë prej zeros në ballafaqim me këtë çështje. Ne e kemi propozimin shumë të mirë portugez, ndërsa e kemi gjithashtu dhe udhërrëfyesin që i ishte prezantuar palës bullgare gjatë kohës së vizitës së kryeministrit dhe delegacionit të tij në Sofje, mendoj më 17 qershor, që po ashtu, me sa kuptuam, nuk ishte refuzuar nga pala bullgare.

Tani, normalisht, ky është dokument për të cilin nuk mund të thuhet që është përfundimtar dhe do të diskutohet për të. Por, ne kemi më së paku dy baza për arritjen e marrëveshjes. Por, puna më kryesore është që të gjendet vullneti politik për marrëveshje. Tani duhet të presim se si do të zhvillohen zgjedhjet të dielën në vendin fqinj. Shpresa jonë është që rezultatet do të jenë të tilla që formimi i qeverisë së fortë do të jetë i mundur. Shpresojmë se do të ndodhë në gjatë periudhës një muaj e gjysmë në vazhdim. Rrethanat e mira janë që kornizat kohore për formimin e qeverisë bullgare janë relativisht të shkurtra dhe nëse rezultati e mundëson atë, do të kemi qeveri gjatë kohës së verës dhe atëherë, do të kemi ndokënd me të cilin do të bisedojmë. Mirëpo, ne nuk presim vetëm në të, por jemi aktivë” ka theksuar Predan.

Por Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit për Politika Evropiane, thotë se Bullgaria edhe në vjeshtë do të përballet me zgjedhjet presidenciale, andaj shton se kompromisi është vështirë i arritshëm, siç thonë në rrethana të presionit të fushatës se zgjedhjeve presidenciale atje dhe zgjedhjeve vendore në Maqedonia e Veriut.

“Mbetet pikëpyetje nëse në një afat të dukshëm, do të kemi udhëheqje politike në Bullgari, e cila do të jetë e gatshme të bëj lëshime për sa i përket arritjes së një zgjidhjeje për kontestin mes këtyre dy vendeve. Insistimi i palës bullgare që çështjet historike të bëhen pjesë e kornizës negocuese, mbetet e papranueshme për ne si shtet, por edhe një pjesë të vendeve anëtare të BE-së”, thotë Kacarska.

Ndërkaq ambasadori slloven Milan Predan, duke komentuar qëndrimin e kryeministrit Janes Jansha tha se “nëse BE-ja nuk bën përparim në angazhimin e vet me Ballkanin Perëndimor, atë do ta bëjë ndokush tjetër me vlera dhe interesa të ndryshme”. Ai nuk e ka precizuar se kush është ai “dikush tjetër”, teksa ka theksuar se situata gjeopolitike në rajon është mjaft specifike.

“Vetëm para disa dekadave kishim vetëm dy superfuqi dhe BE-ja ishte diçka ndërmjet tyre. Tani bota u bë diçka shumë më komplekse. S’e kam patjetër të tregoj se ka vende të tjera me interes në këtë rajon. Ndoshta nuk janë përherë shumë të dukshme, unë bile edhe nuk konfirmoj se janë agresive, por, e dini, nëse BE-ja e lë këtë pjesë të Evropës jashtë pamjes së vet, jashtë ndikimit të vet, atëherë siç ishte thënë në Prespa Forumin në Ohër, në këtë hartë të qartë, po e patë hartën me vrimën e madhe në mes të Evropës, ajo vrimë nuk ka për t’u mbushur. Evropa nuk do të jetë komplete”, ka thënë Predan.

Ndryshe, Bullgaria vlerëson se nuk është përmbushur marrëveshja për fqinjësi të mirë e cila u nënshkrua gjatë vitit 2017, për çka me veto ka bllokuar dhe caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke insistuar që paraprakisht, zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me çështjet e identitetit maqedonas.