“Sllovakia po e paguan çmimin për mosnjohjen e Kosovës”

Sllovakia po paguan një çmim të lartë diplomatik për mosnjohjen e Kosovës.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Jan Cingel, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Analiza Strategjike në Bratislavë.

“Ajo është nën presionin e BE-së dhe ShBA-së. Edhe pse ka mbështetjen e Greqisë, Spanjës dhe Rumanisë, ajo përsëri ka një çmim të lartë për Sllovakinë sa herë që çështja e Kosovës është në agjendë në forumet ndërkombëtare”, tha Cingel.
Nga ana tjetër, ai thotë se çështja është se çfarë mori Sllovakia në këmbim.

“Është e vërtetë që Serbisë po i vijnë lëvdata dhe mirënjohje, por nuk u realizua me marrëdhënie më të thella ekonomike mes tyre”, tha eksperti nga Bratislava, duke shtuar se Hungaria ka marrëdhënie shumë më të ngushta me Serbinë sesa Sllovakia, edhe pse autoritetet në Budapest e pranojnë.

“Në të njëjtën kohë, Sllovakia po i bën dëm vetes sepse pozicioni i saj, kur është fjala për Kosovën, përkon me çështjet e Rusisë dhe Kinës”, theksoi Cingel.