Skuadra shqiptare shpëton mes rrënojave të pallatit në Turqi fëmijën 5 vjeç

Këto pamje të siguruara nga Top Channel kanë fiksuar momentet e kërkim shpëtimit të në terren nga skuadra shqiptare në ndihmë të kolegëve të tyre turq.
“Shpëtuam një fëmijë të rënduar nga gjendje shëndetësore, pas 18 orë kërkimesh”- thotë koloneli.

Kolonel Reso i pyetur për mundësinë e gjetjes të të tjerë personave të mbijetuar nën rrënoja thotë?:
“Është një ndërtesë 6-katëshe e rrënduar që mund te jenë rreth 25 persona. Puna vazhdon intensive. Shpresa na mban, ekipet po përdorin kamerat termike”.

Sakaq një ekip i dytë me personel mjekësor dhe forca ushtarake të specializuara në operacione kërkim shpëtimi ka mbërritur paraditen e të mërkurës në Turqi.
Në kushte tejet të vështira për shkak të rrënojave të ndërtesave të larta, por edhe motit me temperatura të ulëta, efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë pa pushim për nxjerrjen e të mbijetuarve apo trupave të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i së hënës.

Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar. Skuadrës së parë të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria iu bashkuan sot edhe të tjera forca shtesë, për të mbështetur autoritetet turke në përballimin e pasojave të tërmetit të 6 shkurtit.