Skriningu nuk e ndryshon mentalitetin e politikanëve

Në një ambient me turbulenca të theksuara politike dhe kontradikta sociale që krijojnë ndasi, të shkaktuara nga qëndrimet e ndryshme ndaj procesit të integrimit të Maqedonisë në BE, megjithatë ka filluar skriningu për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së. Kjo është një lloj faze përgatitore për skriningun e vërtetë, e cila duhet të filloj në nëntor, ndodhi nga 15 deri më 27 shtator të vitit 2022.

Janë mbajtur mbledhje për fushat dhe kapitujt e klasterit “Vlerat fundamentale”, kur komisioni paraqet legjislacionin e ri për këto fusha. Të gjitha takimet u mbajtën në Bruksel, me përjashtim të Kapitullit 18 – Statistikat në Luksemburg. Në fillim të procesit të skriningut, zëvendëskryeministri Mariçiq deklaroi se, sipas disa vlerësimeve, tani jemi rreth 40 për qind në përputhje me legjislacionin e BE-së, që do të thotë “diçka më pak se gjysma”.

Sipas tij, kjo është një tregues se ne kemi shfrytëzuar mirë 17 vitet e fundit të pritjes për të nisur gati negociatat dhe në disa fusha jemi në të njëjtin nivel apo edhe më mirë se vendet që negociojnë prej vitesh si Serbia dhe Mali i Zi.

Kjo retorikë optimiste, lidhur me skriningun dhe shkallën e përputhshmërisë së legjislacionit maqedonas me atë evropian, u perceptua nga opinioni pa entuziazëm të veçantë, duke e ditur se edhe vlerësimet më të mira nga ky proces “incizimi” janë irelevante për progresin e integrimit evropian pa plotësuar kushtin për ndryshime kushtetuese.

Pikërisht ky kusht në të ashtuquajturën Propozimi francez i kornizës së negociatave, i detyruar nga vetoja bullgare për integrimin evropian të Maqedonisë, është shkaku aktual i turbulencave politike dhe përçarjeve në shoqërinë maqedonase. Zëvendëskryeministri Mariçiq, duke shprehur kënaqësinë e tij për rrjedhën e skriningut, parashtroi një sfidë tjetër për elitat politike, e cila buron nga procesi i reformave në rrugën drejt BE-së.

“Proceset e reformës nuk kanë të bëjnë vetëm me futjen e legjislacionit të ri, por edhe me ndryshimin e mentalitetit dhe stilit të qeverisjes. Ne e dimë dhe kemi përvojë se sa i rëndësishëm është sundimi i ligjit, si dhe të kemi institucione të pavarura dhe efikase që garantojnë të njëjtën gjë”, tha Mariçiq për sfidat e reformave që e presin Maqedoninë e Veriut.

Supozimi për ndryshimin e mentalitetit dhe stilit të qeverisjes në Maqedoni se do të ndodhë “spontanisht”, me zbatimin e reformave, është pothuajse e pamundur, ngase opinioni ka qenë dëshmitarë ndër vite se ky mentalitet nuk ka ndryshuar. Njëri prej tyre është paradoksi i përsëritur rregullisht – partia që vjen në pushtet zakonisht bën gjërat që kritikojnë kur janë në opozitë.

Mentaliteti i politikanëve, pra stili i qeverisjes, është rezultat dhe pasqyrë se si ndërtohen marrëdhëniet mes njerëzve në shoqëri. Ose siç thonë, çdo popull ka qeverinë që meriton. Në vazhdimësi kemi pasur politikanë që kur janë në pushtet bëjnë të kundërtën e asaj që kanë thënë në opozitë, dhe kjo tashmë mund të karakterizohet si një mentalitet i pranuar i qeverisjes në Maqedoni.

Analisti politik, Ivo Rangelloviq thotë se fuqia e skriningut definitivisht do të rrisë përgjegjësinë e politikanëve në Maqedoni, si dhe stilin e qeverisjes në aspektin e pjesës praktike dhe thelbësore të ofrimit, por nuk do ta ndryshon mentalitetin e politikëbërjes në vend.

“Gjithsesi, korrupsioni dhe partishmëria sistematike do të jenë pjesë integrale gjatë gjithë procesit integrues, gjë që tregon se skriningu nuk është mjet për ndryshim absolut të mentalitetit të politikës dhe politikanëve. Është diçka që ekziston nga brenda dhe është produkt i kulturës dhe edukatës dhe nuk i nënshtrohet asnjë mekanizmi politik. Në përgjithësi, pres një ndryshim drastik në funksionimin e të gjitha garniturave të ardhshme qeveritare, sepse progresi në procesin e reformave drejt BE-së ndoshta do të shpërblehet nga publiku me më shumë se një mandat”, ka deklaruar Ivo Rangelloviq, analist.

Ndryshe, në periudhën nga 11 nëntori deri më 9 dhjetor do të vijojë skriningu bilateral, ku pala maqedonase do të prezantojë shkallën e përputhshmërisë me të drejtën e BE-së, strukturën institucionale për zbatimin e ligjeve të harmonizuara dhe planet për harmonizim të mëtutjeshëm, ndërtimin institucional dhe administrativ, kapacitetet si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane. Komisioni Evropian më pas përgatit një raport nga skriningu, i cili, ndër të tjera, përmban gjetjet dhe vlerësimin e Komisionit për shkallën e përputhshmërisë dhe kapacitetet, si dhe konkluzionet dhe rekomandimet. (koha.mk)