Gazeta e madhe gjermane, Die Welt, ka publikuar një shkrim për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun. Në titullin e shkrimit thuhet se “ai i vetëm thuhet se ka vrarë 3 mijë turq në betejë”
Nga Manuel Opitz, WELT
Papët nuk njihen për ekzagjerime. Por Kalisti III shkroi një himn të vërtetë lavdërimi në vitin 1457.
“Ne po dëgjojmë se ju keni bërë më shumë se të gjithë sundimtarët katolikë për besimin e krishterë për shkak të efikasitetit të jashtëzakonshëm dhe veprave tuaja të paharrueshme”.
Këto rreshta të Papës i drejtoheshin princit shqiptar, Skënderbeut, të cilin Kalisti e quan “kalorësi dhe atleti i pamposhtur i Krishtit”.
Kjo sepse Skënderbeu ishte në gjendje të bënte diçka që sundimtarët e tjera të krishterë nuk kishin arritur ta bënin: t’i rezistonin me sukses otomanëve që po përparonin. Për çerek shekulli, Skënderbeu luftoi pushtuesit myslimanë në një luftë guerile- Kisha Katolike dhe shqiptarët e kanë portretizuar atë si heroin e Perëndimit.
Skënderbeu lindi në vitin 1405 si biri i një fisniku shqiptar dhe u pagëzua me emrin Gjergj Kastrioti. Ai u rrit në një kohë kur osmanët, të cilët e kishin shkelur Ballkanin që nga viti 1354, po shtonin ndikimin e tyre. Edhe Shqipëria, e copëtuar në principata të vogla, u nënshtrua gradualisht nga viti 1385 e në vazhdim. Në shenjë bindjeje, babai i Skënderbeut u detyrua të dorëzonte si peng te sulltani katër djemtë e tij, përfshirë edhe Gjergjin e ri.
Ai bëri karrierë në oborrin e sulltanit: u bë synet, u konvertua në Islam dhe shkëlqeu në turne me arte të jashtëzakonshme marciale. Prandaj turqit i dhanë një emër kuptimplotë: Skënderbeg, që përkthehet “Zoti Aleksandër”. “Shokët e tij osmanë të armëve e vendosnin në të njëjtin nivel me Aleksandrin e Madh,” shkruan historiani i Europës Lindore, Oliver Jens-Schmitt. “Zoti Aleksandër” u ngrit në gradën e oficerit dhe luftoi për sulltanin në Azinë e Vogël dhe në Serbi.
Por më pas gjithçka ndryshoi papritur: Skënderbeu mësoi se babai i tij, që kishte nxitur disa revolta në Shqipëri, ishte eliminuar në vitin 1437 me urdhër të Sulltan Muratit II. Skënderbeu donte të hakmerrej për këtë vrasje dhe priti momentin e duhur.
Gjashtë vjet më vonë, koha kishte ardhur: kur në Shqipëri shpërtheu një kryengritje e re, Skënderbeu udhëtoi me pak ndjekës në kështjellën e Krujës në qendër të Shqipërisë, e vendosur lart mbi një shkëmb. Ai i tregoi garnizonit osman atë që supozohej se ishte një dekret i Sulltanit, sipas të cilit ai ishte komandanti i ri dhe hyri pa pengesa në kështjellë.
Mirëpo natën ai i la të hynin brenda bashkëkomplotistët e tij, që masakruan osmanët e befasuar. Skënderbeu dërgoi menjëherë ambasadorë në të gjithë rajonin, duke bërë thirrje për kryengritje. Tani e tutje, Kruja ishte qendra e rezistencës. Kryengritësi shfrytëzoi rastin që të konvertohej në të krishterë.
Për osmanët, Skënderbeu ishte një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm sepse dezertoi nga Sulltani, por edhe nga Islami. Vit pas viti, sundimtarët dërguan trupa drejt Shqipërisë. Të vetëm, rebelët ishin mjaft të zgjuar sa për të mos u përballur me osmanët në betejë të hapur. Kur ushtritë myslimane marshuan në pranverë, kryengritësit u tërhoqën në malet e thepisura. Malet e Mokrës ngrihen deri në 2700 metra, një strehë e vështirë për t’u aksesuar.
Nga këtu, luftëtarët e Skënderbeut, shumica prej tyre bujq dhe barinj të rrahur me motin e ashpër, sulmonin vazhdimisht kampet dhe karvanët e furnizimit të osmanëve. Ata vërsuleshin nga pyjet natën me harqe dhe shigjeta mbi kalorësinë e rëndë osmane, e cila e kishte të vështirë të manovronte. “Pylli ishte aleati më i mirë i Skënderbeut,” shkruan Schmitt. Në mes të verës, pushtuesit mbeteshin pa ushqim, kështu që duhej të tërhiqeshin- dhe shqiptarët mund të ktheheshin në fusha.
Më në fund, në vitin 1450, vetë Sulltan Murati II sulmoi Shqipërinë me më shumë se 100 mijë ushtarë, që sigurisht është e ekzagjeruar. Për gjashtë muaj, osmanët rrethuan dhe goditën Krujën, por kalaja, e cila mbrohej edhe nga kryqtarë francezë dhe gjermanë, rezistoi. Në fund, pushtuesit duhej të largoheshin pa arritur asgjë, një turp. Skënderbeu ishte fisniku i parë ballkanik që i rezistoi një sulmi të Sulltanit: vetëm perandorët e Bizantit pas mureve të Kostandinopojës ia kishin dalë deri më tani.
Nga burimet e kohës, ai shfaqet si një folës karizmatik, më muskuloz se çdo burrë tjetër, kurajoz dhe gati i pathyeshëm. Thuhet se ai vetëm në betejë ka vrarë 3 mijë turq. Myslimanët i atribuonin shpatës së tij fuqi thuajse magjike dhe besonin se mund të thyente çdo armaturë, helmetë apo mburojë.
Megjithatë, pa mbështetjen e jashtme, Skënderbeu nuk do të ishte në gjendje të mbante kryengritjen e tij: papët e shpallën mbrojtës të Perëndimit dhe Napoli dhe Venediku i dërguan trupa, armë, grurë dhe para. Por ishte një aleancë e lëkundur, sepse fuqitë në Itali nuk kishin besim të thellë te njëra-tjetra. Aristokratët në Shqipëri po ashtu kishin shumë mosmarrëveshje dhe nuk ishin të bashkuar pas Skënderbeut. Kjo ishte arsyeja se pse ai dhe ndjekësit e tij duhej të luftonin vit pas viti për të mbijetuar dimrin që pasonte.
Në vitin 1466, Sulltani i ri Mehmeti II, i biri i Muratit dhe pushtuesi i Kostandinopojës, ndërmori një sulmi të ri të madh. Ai zbatoi një strategji të re: Mehmeti vendosi të ndërtojë Kalanë e Elbasanit në Shqipërinë e mesme si një bazë dhe depo dhe zgjeroi rrugën kryesore, që njihet si Via Enatia që nga koha romake. Ai dërgoi legjione druvarësh për të copëtuar pyllin, aleatin më të madh të Skënderbeut. Megjithatë, mbi të gjitha, acetat e Sulltanit krihnin sistematikisht vargmalet kryesore për kryengritësit. Ata zbuan dhjetëra-mijëra persona, dogjën ara dhe morën bagëti me vete.
Në vitin 1467, Sulltani solli mbi 200 mijë ushtarë në Shqipëri. Vetëm ndihma e vendosur e Papës dhe fuqive të tjera të krishtera mund ta shpëtonte Skënderbeun. Me gjithë thirrjet lutëse për ndihmë nga Shqipëria, ata nuk arritën të bënin dot një operacion shpëtimi në shkallë të gjerë.
Në fund të vitit 1467, turqit ende nuk e kishin marrë kalanë e Krujës, por një kronist bizantin shkruante se Mehmeti e ka plaçkitur, djegur, shkatërruar dhe shuar Shqipërinë. “Sulltani vrau ose rrëmbeu pothuajse tre të katërta e popullsisë në pjesën lindore të zonës së rebelimit. Asnjë rajon në Ballkan nuk kishte përjetuar një katastrofë të tillë demografike gjatë rrjedhës së pushtimit osman,” e përmbledh Schmitt.
Në janar të vitit 1468, pas 25 vitesh luftimesh të palodhura dhe në një situatë të pashpresë, Skënderbeu u sëmur dhe vdiq në moshën 63-vjeçare. Trupi i tij u varros në Lezhë. Osmanëve iu deshën edhe 10 vite të tjera para se ta pushtonin vendin. Ata masakruan trupin e tij dhe i morën kockat për t’i kthyer në hajmali, me shpresën se do i bënte të pathyeshëm. Shqipëria do mbetej nën sundimin osman deri në vitin 1912.