Skandali me mazutin, Zaev: Ka parregullsi, po përgatitet raport i detajuar

Kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se përmbledhja e fundit për raportin mbi vajin kontradiktor që është shitur në Maqedoni do të publikohet të martën, transmeton Alsat. Zaev tha se deri më tani janë gjetur disa parregullsi në këtë derivat.

“Nuk është gjetur sulfur më tepër se norma e lejuar prej një për qind, por janë gjetur dëshmi për sasi më të madhe të ujit, pluhur dhe ajo pjesë që nuk është e lejuar në pjesën e mazutit. Janë gjetur rezerva të papërshtatshme”, tha mes tjerash Zaev.

Kreu i ekzekutivit tha se tashmë ka kërkuar detyra shtesë, pas çka pret që autoritetet kompetente të japin përmbledhje nga raportet përfundimtare.
“Do të kemi një përmbledhje nga vetë Dogana, dhe një përmbledhje nga të gjitha institucionet, Inspektoratet Shtetërore, Dogana, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Ekologjisë”, pohoi Zaev.

Vaji që në shtetet evropiane është cilësuar si helmues, u importua sikur të ishte mazut, u përdor për ngrohjen e spitaleve dhe institucioneve të tjera shtetërore, dhe për djegie e ka përdorur ndërmarrja nga Velesi BRAKO, por edhe kombinati i Kavadarcit, Euronikel.