Skandali i revistës ndërkombëtare të modës – i referohet me ‘Serbi’ lokacionit ku artistja nga Kosova, Dafina Gjikolli realizoi punimin e saj artistik


Artistja nga Kosova, Dafina Gjikolli, ka realizuar një projekt të veçantë artistik të titulluar “Le Triangle Amoureux (Love Triangle)”.

Qëllimi i këtij projekti është që njerëzit të gjejnë veten, të shohin diçka të re, të mësojnë dhe eksplorojnë mendimet e tyre por mbi të gjitha të kuptojnë të tjerët; jo gjithçka është e lehtë për tu bërë dhe secili person ka anën e tij të historisë.

Përmes kësaj historie, ju mund të kuptoni këndvështrimin e tre personazheve kompleksë, përmes artit dhe përshkrimeve të paraqitura. “Le Triangle Amoureux” ka të bëjë me një vajzë e cila është e dashuruar me dy djem në të njëjtën kohë. Ajo po merret me një djalë nga e kaluara e saj dhe një dashuri të re që e pret. Ajo ka një vendim për të marrë, por nuk mund ta ndihmojë veten.

Punimi në fjalë fillimisht është pranuar të publikohet në revistën internacionale Kazajr Magazine, përmes platformës më të madhe për publikimin e revistave të modes dhe artit në përgjithësi Kavyar.

Por teksa revista në fjalë e ka publikuar punimin e Gjikollit në llogarinë e tyre zyrtare në Instagram, ata kanë vendosur shtetin e Serbisë si lokacionin ku është realizuar ky punim, ani pse artistja kosovare në momentin e aplikimit, e ka bërë të qartë se vendi i realizimit të projektit në fjalë është Caen, Francë – meqë edhe projekti është në bashkëpunim me fotografin francez, David Cypre.

Me të parë lokacionin e vendosur ‘Serbia’ mbi punimin e saj, Dafina i kishte shkruar menjëherë koment revistës evropiane, duke ia cekur se sa fyese është një gjë e tillë për një artiste, punimi i së cilës në të vërtetë është burim i një talenti nga Kosova.

“Në këtë postim në Instagram ju keni vendosur lokacionin Serbia! Lokacioni ku është xhiruar është Francë! Më saktësisht (Caen, Francë) siç është cekur fare mirë në PDF-in që unë jua kam dërguar aplikimin. Ju lutem, përmirësoni gabimin menjëherë i cili është ofendues për vendin tim. Unë vij nga Kosova, por Kosova nuk është Serbi. Ne jemi një shtet i pavarur. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, kishte shkruar në komentin e saj artistja kosovare.