Skandal në hematologji: Drejtoresha i jep tender mbi 3 milionë euro babait të saj

Panovska Stavridis, ka reaguar ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së se i ka dhënë tender firmës familjare të udhëhequr nga babai i saj, edhe pse ajo ka qenë ofertuesja e vetme dhe me vite ka marrë tenderë publikë.

IRINA PANOVSKA STAVRIDIS , DREJTORESHË E HEMATOLOGJISË

“VMRO-DPMNE sërish për hir të interesave partiake po tenton t’i vërë njollë Klinikës Universitare për Hematologji, e cila sipas të gjithë treguesve mjekësorë është një nga klinikat më të suksesshme të këtij lloji në rajon dhe më gjerë. E kuptoj që ‘lufta’ politike është mizore, por nuk mund të pajtohem me këtë qasje të një partie politike, e cila në vend që të shohë e të pranojë argumentet, ka vendosur sërish të investojë në ngritjen e panikut tek pacientët, përmes degradimit shtesë të shëndetit publi”.

Ajo theksoi se dyshimet për konflikt interesi mes saj dhe babait të saj kanë qenë pjesë e hetimit të Komisionit për antikorrupsion dhe prokurorisë publik, e cila i shqyrtoi në tërësi të gjitha faktet dhe konstatoi se të gjitha blerjet publike të klinikës janë kryer në përputhje me rregulloret ligjore .

Një ditë më parë zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, foli për atë, që ajo e quajti Praktikë vjetore e Klinikës për Hematologji, ku drejtoreshë është Irena Panovska-Stavridis, kurse tender i jepet tregtarit me shumicë “Dr. Panovski”, ku pronar është babai i saj.

MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E VMRO-SË

“Tender mbi 3 milionë euro! Kjo është kontrata e lidhur me 01.09.2023 për prokurimin e mallit e lidhur në mes të PJU QSU për Hematologji si autoritet kontraktues dhe SHA “Dr.Panovski” si bartës i prokurimit. Disa gjëra mund të vihen re nga dokumentacioni. Së pari, bëhet fjalë për një ofertues të vetëm, gjegjësisht kompania e babait është paraqitur si ofertues i vetëm në këtë tender dhe vajza është drejtoreshë e Klinikës e cila e publikon shpalljen”.

Ajo theksoi se kjo nuk është kontrata e parë që pronari i SHA “Dr. Panovski” e merr nga vajza e tij. “DKSK ka hapur një rast para disa vitesh, i cili ende nuk ka konkluzion për tenderët e tjerë edhe në shumën prej 3 milionë eurove, të cilët i ka dhënë vajza e babait Panovski”, tha Miteva. Kjo, sipas saj, është dëshmi se mosndëshkimi i krimit do të thotë mbështetje ndaj krimit.