Fiks Fare faktoi me zë dhe figurë veprimet e gjyqtares Brikena Ukperaj Lubonja, e cila ka dhënë disa vendime të ndryshme për një pronë. Fillimisht, gjatë kohës që ka qenë gjyqtare në Lushnje, ka dhënë disa vendime ku i jep qytetares Nurjeta Shefa një pronë, të përfituar me vendimin e kthimit dhe kompensimit të pronave të vitit 1995. Madje, ka dhënë edhe urdhrin e ekzekutimit për të liruar këtë pronë.
Por, sa shkon si gjyqtare në Apelin e Vlorës, vendos se prokuroria duhet të hetojë për falsifikimin e disa dokumenteve, apo edhe për mbivendosje për të njëjtën pronë. Tashmë, qytetarja nuk di kujt t’i besojë, gjyqtares Brikena të Lushnjes, apo gjyqtares Brikena të Apelit Vlorë!
Qytetarja Nurjeta Shefa u ankua për herë të dytë në Fiks Fare, ku herën e parë denoncoi veprimet abuzive të disa punonjësve të Bashkisë Lushnje, të cilët i kërkuan lekë për të ekzekutuar pikërisht vendimin e gjyqtares Lubonja. Pas atij denoncimi, prokuroria arrestoi shefin e IKMT-së së Lushnjes, ndërsa qytetarja vijoi të endet në dyert e gjykatave. “Pas këtij vendimi që ka dhënë gjyqtarja, palët kanë hapur përsëri gjyq po për këtë pronë, megjithëse ishte ekzekutuar. Po e njëjta gjyqtare ka pushuar çështjen” thotë ajo.
Qytetarja shkon në Apelin Vlorë dhe takon gjyqtaren Brikena Ukperaj Lubonja. Ia shpjegon se në Lushnje mendonte ndryshe, ndërsa gjyqtarja i thotë se nuk mund të flasë për çështje konkrete. “Po nëse ka qenë për dorëheqje, unë e kam pranuar dhe nuk mund …” i thotë ajo. Më pas gjyqtarja i thotë mos t’i kërkojë llogari, dhe i thotë se “ndoshta s’ka të bëjë me çështjet (e lushnjes)”. Por në fakt, bëhet fjalë për të njëjtën pronë.
Pas këtij pretendimi, gazetarët shkojmë në Gjykatën e Apelit Vlorë, për ta pyetur personalisht gjyqtaren Brikena Lubonja. Gjyqtarja nuk pranon të flasë dhe nëpërmjet sekretares, pohon se dosja nuk është fizikisht në këtë gjykatë. Sekretarja thotë se, të gjitha pretendimet janë në dosje.
Gjyqtarja e ka dhënë dorëheqjen, siç pretendon edhe sekretarja, por ia ka rrëzuar kryetarja e Gjykatës së Apelit. Fiks Fare ka siguruar regjistrimin audio të këtij procesi.
Pas kësaj vendimmarrjeje, gjyqtarja Brikena Lubonja, ka marrë pjesë në këtë proces gjyqësor. Në fund ajo ka firmosur që çështja të rigjykohet, me arsyetimin se duhet një hetim nga prokuroria. Por në vendimin e dhënë në gjykatën e Lushnjes ajo mendonte ndryshe, madje ne vendimin nr 42, dt 3 qershor 2014 ka vendosur të rrëzojë padinë për mosfillimin e procedimit penal për dokumentin e fitimit të kësaj prone. Pra, për të njëjtën pronë, kjo gjyqtare në Lushnje thotë se prokuroria nuk duhet të hetonte, ndërsa në Apelin e Vlorës konstaton dhe firmos se prokuroria duhet të hetojë edhe një herë dokumentin që mban vulën Agjensisë së Kthimit dhe kompensimit të Pronave.
BISEDË MES QYTETARES DHE GJYQTARES
Qytetarja – Mirëmëngjesi zonja gjyqtare!
Gjyqtarja – Mirëmëngjesi!
Qytetarja – Si jeni, s’ia kaloni?
Gjyqtarja – Mirë, kush jeni juve?! Si fytyrë po më dukesh e parë, po nuk të mbaj mend.
Qytetarja – Po rastësia, se kisha një gjyq këtu, po kurioziteti po të pyes për diçka.
Gjyqtarja – Hë…
Qytetarja – Nurjeta Shefa.
Gjyqtarja – Nurjeta Shefa?
Qytetarja – Po.
Gjyqtarja – Po ku e kam dhënë këtë vendim unë?
Qytetarja – Këtu (në Apel) e ke dhënë në 24 maj 2017 vendimin. Nuk e gjykuat fare, 3-4 seanca. Ju duhet të bëni dorëheqje në këtë moment. Se ke dhënë në Lushnje vendimin.
Gjyqtarja – Shiko, unë nuk mund të flas për çështje konkrete
Qytetarja – Nuk mund ta besoj, që të japësh dy vendime në favorin tim në Lushnje dhe këtu në Vlorë të kthehet
Gjyqtarja – Ndoshta s’ka të bëjë me çështjet.
Qytetarja – Jo e njëjta çështje është, vetëm ndryshojnë emrat e njerëzve.
AUDIO E SEANCËS GJYQËSORE NË APELIN VLORË
Gjyqtari Hysen Saliko – Riçelim seancën gjyqësore për gjykimin e çështjes civile, me numër 2696, të datës 14.10.2015, i përberë nga treshja e gjyqtarëve Hysen Saliko, Brikena Lubonja dhe Gjinofeva Gaba. Dakord me trupin gjykues?
Avokati kundërshtar – Kërkesa jonë konsiston sepse, e nderuara gjyqtarja Brikena Ukperaj Lubonja.
Gjyqtari Hysen Saliko – Po.
Avokati kundërshtar – Ka gjykuar këtë çështje në konflikt gjyqësor.
Seanca tjetër
Gjyqtari Hysen Saliko – Sipas ardhjes në dijeni të pretendimeve të paditësit, gjyqtarja Brikena Lubonja ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështje, dorëheqje e cila nuk është miratuar nga kryetarja e gjykatës.
6 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)