Skandal me librat e muzikës: Autorët shqiptarë nuk lejohen të botojnë në shqip

Ndryshimet e munguara prej më shumë se një viti nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës po mbajnë peng zbatimin e programit mësimor për ato lëndë të cilësuara si të veçanta, tekstet e të cilave nuk përkthehen por hartohen në gjuhën shqipe. Një prej tyre është lënda e muzikës për ciklin fillor. Paradoksi qëndron në faktin se Ministria e Arsimit miratoi ndryshimet për Programin mësimor duke ndryshuar statusin e lëndës së muzikës ndërkohë që nuk ndryshon Ligjin i cili pengon autorët shqiptarë të konkurrojnë me dorëshkrime në gjuhën shqipe.

Nga Shoqata e pedagogëve shqiptar janë të shqetësuar se edhe këtë vit shkollor do të përdoren të njëjtat libra që janë përdorur vitet e kaluara me gabime dhe mangësi të shumta. Ata thonë se do të refuzojnë të përdorin këto tekste, pasi librat e muzikës të përkthyera dhe të përshtatur nga gjuha maqedonase nuk janë të përshtatshme për Arsimin Muzikor. Pasi ato përsëri do të përkthehen ose me “google translate” duke mos e ditur terminologjinë muzikore, ose duke shfrytëzuar emrat e mësimdhënësve pa leje që të figurojnë si recensentë ose bashkautor në kopertinat e librave.

“Autorët aktual që bërën skandalin me tekstet shkollore për klasat 6,7,8,9 sërish janë në garë për përpilimin e teksteve shkollore, ku mendojmë se ky grup është dashur jo vetëm që mos të kenë leje dhe përparësi për të përpiluar tekste shkollore, por të ndaloheshin dhe të pengonin për mospërpilim. Kemi pritur nga ministria që të informojë mësimdhënësit që do të hapet konkursi për autorët shqiptarë dhe librat do të botohen prej tyre, mirëpo gjithçka ka dështuar pasi e gjitha kjo u neglizhua nga autoritetet si nga MASH ashtu edhe nga Byroja për zhvillimin e Arsimit”, konstatohet në mbledhjen më të fundit të shoqatës.

Të pyetur nga gazeta KOHA se kur do të ndryshohet Ligji për botimet dhe kur do të lejohen autorët shqiptarë të konkurrojnë për të botuar librat e muzikës në gjuhën shqipe nga MASH nuk ka asnjë koment. Në tekstet e librave të muzikës të përshtatura në shqip nga gjuha maqedonase përveç gafave, ka munguar mes të tjerash terminologjia muzikore krijimtaria popullore muzikore shqiptare, instrumentistë qoftë ekzekutues ose performues/interpretues këngë artistike dhe popullore dedikuar moshës së nxënësve nga autorë shqiptar.

Gjithashtu ka munguar bashkëpunimi me profesionistë në fushën e muzikës dhe për këtë arsye Shoqata e pedagogëve të muzikës po ashtu kërkon që në Byronë për zhvillimin e arsimit të ketë të paktën një këshilltar shqiptar profesionist. “Shumë punë nuk do të lejoheshin ose së paku një këshilltar profesionist do të alarmonte për të njoftuar dëmin e planifikuar e jo edhe për ti ndihmuar që kjo të anashkalohet”, thonë në SHPSHM. (Evis HALILI/koha.mk)